Në ditën e dytë të festivalit ‘Sunny Hill’ në Kosovë, këngëtarja Dua Lipa u nderua me një tjetër titull në vendlindjen e saj. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë me të gjithë lajmin se Dua Lipa ka marrë titullin “Ambasadore Nderi e Kosovës”.
Presidentja Osmani ka postuar foto nga ceremonia e sotme, me këngëtaren me famë botëore dhe familjarët e saj.
Sot, Dua Lipës, i ndava titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës, sepse ajo vazhdon ta nderojë vendin tonë në çdo hap e çdo paraqitje. E falënderova, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për gjithçka që ka bërë dhe po bën, që zëri ynë të dëgjohet kudo në botë.
Dua dhe Anda kishin kënaqësinë e veçantë ta takojnë super yllin tonë, ikonën e pop muzikës, e cila është shndërruar në inspirim e model për vajzat anekënd botës. Ajo po e shfrytëzon zërin dhe talentin e saj të jashtëzakonshëm, jo vetëm për t’i ofruar botës këngë që lënë gjurmë, por edhe për ta prezantuar imazhin më të mirë të Kosovës kudo në botë. Sot, për shkak të Duas, nuk ka njeri që nuk e njeh Kosovën, të cilën edhe kësaj radhe e ka bërë kryeqendër të kulturës botërore, nëpërmjet festivalit Sunny Hill.
Prandaj sot në Presidencë, së bashku me Prindonin dhe vajzat tona, kishim kënaqësinë që ta presim Duan së bashku me prindërit e saj, Dukagjinin dhe Anesën, për t’i falënderuar për këtë kontribut të madh për imazhin e Kosovës në botë si dhe për ta përsëritur mesazhin tonë të përbashkët për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, i cili njëherit është edhe moto e edicionit të sivjetëm të festivalit Sunny Hill.
Faleminderit Dua e mirë se erdhe në shtëpi!