Apple u ka kërkuar punonjësve të kthehen në zyrë duke nisur nga shtatori. Në një mesazh të dërguar nga shefi ekzekutiv i Apple, Tim Cook, u kërkohet punonjësve të kthehen në zyra të paktën 3 herë në javë.

“Marrëdhënia ndërpersonale mes punonjësve është shumë thelbësore për kulturën tonë”, – thuhet në mesazhin e Cook.

Duke nisur nga 5 shtatori, punonjësit e selisë qendrore të Apple dhe zyrave të tjera rreth saj, do të duhet të kthehen në punë të martave dhe të enjten, si dhe një ditë tjetër që do t’i përcaktohet nga përgjegjësit dhe menaxherët.

Punonjësit e Apple në pjesë të ndryshme të botës do të kthehen në orare të ndryshme në varësi të rrethanave, shton Cook në mesazhin e tij.

Financial Times shkruan se kjo nuk është hera e parë që Apple njofton rikthimin në zyrë. Në qershor 2021, ajo tha se planifikonte një kthim 3-ditor në javë në shtator të atij viti, por për shkak të rritjes së rasteve Covid-19, vendimi u shty.