Ai ka studiuar pikturë me profesorët Hatixhe dhe Mustafa Arapi për 10 vjet. Gjatë karrierës së tij ka marrë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare ku ndër më të rëndësishmit është medalja e argjendtë në Egjipt në moshën 14 vjeçare.
Prej gjashtë vitesh ai përdor një teknikë të veçantë në realizimin e pikturës; pikturon me dorë pa përdorur penelin apo elementë të tjerë. Nëpërmjet kësaj teknike janë realizuar nëntë ekspozita personale ndërkombëtare dhe kombëtare si dhe shumë pjesëmarrje në ekspozita artistike në grup.

Arti i tij ka një lidhje të ngushtë mes mendjes dhe shpirtit. Është një lloj surrealizmi i paparë më përpara ku vihet re loja e simbolizmit në veprat e tij artistike. Figura femërore është e pranishme në veprat e tij, e cila është muza e krijimtarisë dhe është e lidhur ngushtë me dashurinë dhe pasionin për jetën.
Një rëndësi dhe një vëmendje të veçantë në këto momente merr arritja më e madhe e piktorit deri tani që është ekspozita ART FAIR PARIS 2022 01-04 shtator Carrousel du Louvre.
Është një panair arti mbarë botëror i organizuar nga kuratori HongLee. Çdo vit zgjidhen tema të ndryshme për të promovuar artistët në mënyrë të individualizuar. FOCUS ART FAIR udhëheq trendin artistik.
Tema e këtij viti është "Art BOOM 2021/2022", e cila synon të nxjerrë në pah, të eksplorojë dhe të ri-imagjinojë të ardhmen e mundshme të botës sonë në zhvillim, duke formuar perspektiva dhe dialogë të rinj brenda industrisë pasi talentet e reja, të larmishme dhe me ndikim vijnë në plan të parë gjatë kësaj periudhe të rilindjes.
Amarildo është përzgjedhur nga kuratorët, si një nga artistët që do të shfaqin veprat e tyre atje.
Ekspozita parashikohet të vizitohet nga rreth 10,000 deri në 15,000 vizitorë në ditë, kryesisht njerëz të artit dhe modës.
Një event që i paraprin ekspozitës së Luvrit do të mbahet në Tiranë.
Një celebrim i arritjeve dhe një aktivitet që bën bashkë rrethet artistike dhe njerëzit e zakonshëm.
Artisti do të sjellë një performancë novatore drejtpërdrejt, duke pikturuar në kohë rale me teknikën e tij në një telajo të ndriçuar. Spektatori do përjetojë sintezën e pikturës që formësohet nga momenti në moment. Kjo e fundit është një improvizim i rastit dhe rezultati përfundimtar është pasojë e drejtpërdrejtë e muzës krijuese të artistit në rrethanat e atij momenti të veçantë. Teknika e vecantë e artistit e ndihmuar nga teknologjia e ndriçimit do të jetë një eksperiencë e pa përjetuar më përpara.
Jo më pak e rëndësishme do të jetë dhe ekspozita me punimet e artistit që do të shpaloset përreth skenës kryesore.