Presidenti i Adani Group, Gautam Adani, kaloi sot në renditje presidentin dhe CEO-n e LVMH, Bernard Arnault.

Tani, Adani është njeriu i dytë më i pasur në botë, pasuria neto e të cilit është 155,5 miliardë dollarë në klasifikimin e miliarderëve në kohë reale të Forbes, me rritje të pasurisë me 5,2 miliardë dollarë, apo 3,49% krahasuar me dje.

Arnault, pasuria e të cilit është 300 milionë dollarë më pak se ajo e Adani (155,2 miliardë dollarë), zbriti në vendin e tretë në renditje.

Adani lë pas në renditje edhe presidentin dhe themeluesin e Amazon, Jeff Bezos, pasuria e të cilit ka rënë me 2,3 miliardë dollarë, ose 1,49%, në 149,7 miliardë dollarë. CEO i Tesla-s, Elon Musk, mbetet njeriu më i pasur në botë, pasuria neto e të cilit është 273,5 miliardë dollarë.

Adani zotëron aksione në gjashtë shoqëri që bëjnë pjesë në bursë, të cilat operojnë në porte, aeroporte, energji të gjelbër, qendra të të dhënave etj. Adani u bë njeriu më i pasur në Azi në shkurt të këtij viti, kur kaloi në renditje miliarderin indian, Mukesh Ambani, pasuria neto e të cilit është 93,4 miliardë dollarë, duke u renditur i teti në klasifikimin botëror.

Aksionet e konglomeratit Adani Enterprises po rriten dhe dje arritën rekordin në 3.749,15 rupi (46 dollarë) për aksion, më shumë se dyfishi krahasuar me një vit më parë. Aksionet në Adani Power janë më shumë se trefishuar në vitin e fundit, duke arritur në 398,4 rupi (4,9 dollarë), si përgjigje ndaj rritjes së kërkesës për energji. Edhe aksionet e kompanisë për energji të rinovueshme, Adani Green Energy, janë thuajse dyfishuar në vitin e fundit, duke arritur 2.343,05 rupi (29,2 dollarë).

Dëshira e Adani për t’u zgjeruar e ka shtyrë atë të bëjë lëvizje të guximshme për të hyrë në aktivitete të tjera. Grupi është duke përfunduar blerjen prej 10.5 miliardë dollarësh të krahut indian të prodhuesit zviceran të çimentos Holcim Group.

Në këtë marrëveshje, Adani Group do të blejë aksione nga dy shoqëri çimento të kuotuara në bursë: 63,11% nga Ambuja Cement dhe 54,53% nga ACC. Këto transaksione, për të cilat ofertat e hapura u përfunduan javën e kaluar, do ta bëjnë Adani prodhuesin e dytë më të madh të çimentos në Indi.