Emiliano Fejzo nuk ka fituar gara atletike si Luiza Gega dhe nuk ka marrë medalje. Megjithatë është rekordmen. Të paktën kështu i referohen mediat italiane shqiptarit 39-vjeçar, i cili është dëbuar jo pak, por 14 herë nga gadishulli apenin, megjithatë gjithmonë është kthyer. Këtë thotë se e ka bërë nga dashuria për Alinën, një 57-vjeçare ukrainase, e cila ka nevojë për përkujdesjen e tij. Së fundmi, gjykata italiane i ka dhënë të drejtë shqiptarit.

Historia e dashurisë

Tvklan.al ka kontaktuar me avokaten e shqiptarit, Sarah Dell’Accantera, dhe ka mësuar detaje nga e historia e tij. Dashuria me Emilianos dhe Halyna-s ka nisur që para 22 vitesh. Ata janë takuar në Reggio Emilia dhe që prej vitit 2000 janë bashkë. Dashuria e tyre ka mposhtur kufijtë dhe moshën. Emiliano është 39 vjeç ndërsa Halyna, 57 vjeçe.

“Emiljano e Halyna janë takuar para 22 vitesh në Reggio Emilia dhe që nga ajo kohë janë bashkë. Emiliano është 39 vjeç dhe Halyna është 57 vjeçe”, është shprehur avokatja.

39-vjeçari Fejzo ka 27 vite në Itali. Ai ka punuar në ndërtim. Avokatja konfirmon se Fejzo është dëbuar për herë të parë nga prefektura në Reggio Emilia dhe herët e tjera nga gjykata. Në total, 14 herë!

“Ai është dëbuar për herë të parë nga prefektura dhe herët e tjera nga gjykata për një total prej rreth 14 herësh”, shpjegon avokatja Dell’Accantera.

Halyna vuan nga sëmundja e Parkinsonit që prej vitit 2013. Që prej asaj kohe, gjendja e saj është rënduar. Me lejen e Emilianos, avokatja na ka vënë në dispozicion dokumentin që sipas tyre vërteton sëmundjen e saj dhe njohjen e invaliditetit për të.

“Halyna është nga Ukraina. Ajo është e sëmurë nga Parkinson në vitin 2013 dhe sëmundja është rënduar gjithmonë e më shumë në vitet e fundit. Aktualisht i është njohur invaliditet prej 100% me pamundësi të përhershme/permanente punësimi. Sëmundja e saj është neurodegjenerative dhe vazhdon të përkeqësohet”, thekson avokatja.

Avokatja i ka njohur të dy, si Emilianon dhe Alinën dhe nuk ngurron të shprehë se ata të dy janë një çift shumë i dashuruar.

“Unë e kam njohur Halyna-n, janë një çift shumë i dashuruar dhe uroj që të martohen dhe të jetojnë jetën e tyre bashkë”, tha ajo.

Çështja gjyqësore

Disa ditë më parë, gjykata i dha të drejtë 39-vjeçarit Fejzo se është detyruar të kthehet për t’u kujdesur për të dashurën, pavarësisht dëbimeve. Avokatja na shpjegoi se i ka paraqitur gjykatësit dokumentet mjekësore të Halyna që vërteton sëmundjen e saj. Po ashtu, ajo shprehet se 57-vjeçarja nuk ka asnjë të afërm në Itali përveç tij. Këto argumente u pranuan nga gjykata.

“Në çështjen gjyqësore kemi paraqitur dokumentet mjekësore të Halyna-s duke i shpjeguar gjyqtares që Emiliano është detyruar të kthehet për t’u kujdesur për të dashurën, e cila nuk ka asnjë të afërm që mund të kujdeset për të përveç tij. Gjykata e pranoi këtë argument, por akoma nuk është publike aktgjykimi. Të gjitha arsyet pse gjyqtarja i ka dhënë të drejtë Emilianos mund t’i lexojmë pas 90 ditësh kur të publikohet aktgjykimi”, shprehet Dell’Accantera.

Emiliano Fejzo

Hapi i radhës do të jetë kërkesa ndaj ministrisë për tërheqjen e dëbimit. Më pas, do të kërkohet leja e qëndrimit. Për këtë është e nevojshme që 39-vjeçari dhe 57-vjeçarja të martohen dhe duhet “nulla osta”.

“Po mundohemi të rregullojmë gjërat që të dalë nga burgu sa më parë. Do i bëjmë kërkesë ministrisë për të tërheqjen e dëbimit dhe lëshimin e lejes së qëndrimit. Do të ishte e nevojshme që ai dhe Halyna të martoheshin, për këtë motiv duhet “nulla osta” nga konsullata e Shqipërisë”, shprehet avokatja.

“Nulla osta” është një shërbim elektronik i cili u mundëson qytetarëve shqiptarë që janë rezidentë në Itali të aplikojnë për të marrë më pas nëpërmjet shërbimit postar, lejen e martesës.

“Pas verifikimeve të nevojshme të kryera nga përfaqësues të Ambasadës/Konsullatës, pranohet aplikimi dhe aplikanti ftohet më pas të ndjekë procedurat për të kryer pagesën dhe për të dërguar mandatin origjinal (jo fotokopje) me postë. Kthimi i përgjigjes kryhet me e-mail tek qytetari dhe njoftohet gjithashtu për dërgimin e Lejes së Martesës (Nulla Osta Matrimonio) me postë në adresën e qytetarit”, sqarohet në portalin e-Albania në lidhje me këtë çështje.

Lexoni artikullin e plotë në Tv Klan