Mimoza Selimi, vokalistja e vetme femër e grupit të njohur “Djemtë e Detit” ruan kujtime të shtrenjta me të madhen Vaçe Zela. Për të ajo rrëfeu pasditen e sotme në “Rudina”, se ka qenë shtysa pse u orientua drejt muzikës. Prej vegjëlisë, Mimoza ëndërronte  të takonte Vaçen dhe një ditë i erdhi mundësia e artë.

Vaçja ishte nëna ime e dytë. Kam aq shumë për të thënë, sa ndoshta Vaçja meriton që unë të shkruaja një libër për të. Lidhja ime me Vaçen ka qenë e jashtëzakonshme. Kur e dëgjoja Vaçen, unë vuaja nga një hipersensibilitet, shumë ndjeshmëri dhe e dëgjoja Vaçen dhe qaja, isha e vogël, fëmijë 4-5 vjeç. Me kohë ëndërroja gjithmonë ta takoja. Vaçja ka qenë shtysa që unë të këndoja dhe kështu kam shkuar me dëshirën që një ditë unë do ta takoja, do bëhesha këngëtare.

Dhe fati e solli që Ministria e Kulturës, në vitin ’86-87, organizoi një kurs, ishte një vit shkollor që unë të kisha mësuese Vaçen në Estradën e Tiranës. Kur e kam takuar për herë të parë, dridhesha. S’e harroj asnjëherë, edhe kur bënte vokalicat Vaçja, unë rrija kështu.

Kur ka ardhur Pandi Laço në Estradën e Tiranës dhe i tha, se unë në fakt kisha kënduar, ndërkohë këngët e Vaçes në dy Festivalet e Interpretuesve dhe Pandi i thotë “ia ke dhënë të gjitha kësaj”. Vaçja me atë modestinë e vet, se këta janë njerëzit e mëdhenj që nuk kanë nevojë të bëjnë zhurmë,  tha “jo kjo më ka ardhur kështu, s’i kam dhënë asgjë”.

Mimoza shpjegon se marrëdhënia e saj me Vaçen ka qenë e fortë që përpara  se të shkonin në Zvicër. Në Tiranë, ajo ndenji në shtëpinë e këngëtares së madhe, madje ka veshur edhe rrobat e këpucët e saj.

Në ’87-ën, që kam kënduar duetin me Rubinin, atëherë ishim të varfër, ishim të gjithë njësoj. Kisha marrë një copë në “Mapo”, që edhe atëherë kishim radhat e mëdha të njerëzve për të marrë një copë në “Mapo”. Rozë, ma ka qepur nëna e Marjana Kondit, Magda, një grua e jashtëzakonshme. Magda, atje lart ku je, sa të kam dashur shpirt. Dhe s’kisha këpucë që të shkonin me fustanin. Vaçja ndërkohë kishte pasur mundësinë të dilte me Ansamblin e Shtetit dhe më thotë mua “hajde këtu ti”. Vaçja kishte numrin e këmbës 39 dhe unë 37. I kemi mbushur majat e këpucëve me letër dhe unë kam veshur këpucët  e Vaçes’.