Pas shumë muajsh që po pëflitet vazhdimisht në media për fundin e martesës së Bleros dhe Afrona Dikës, më në fund ka ardhur një konfirmim. Ka qenë vetë këngëtari që ka sqaruar publikun përmes një letre në Instagram, ku pranon se martesa mes tyre ka marrë fund në maj.
Blero thekson se arsyet e ndarjes janë personale të tilla do të mbeten, duke mos pranuar të komentojë më tej.
Letra e plotë e Bleros:
“Të dashur familjarë, shoqe e shokë,
Të dashur miq, ndjekës të muzikës sime dhe ju që falë jush jam këtu ku jam sot,
Të dashur gazetarë (miq të mitë dhe promovues të punës sime), po e ndiej si obligim moral dhe si borxh ndaj jush që t’ju drejtohem me anë të kësaj “letre” apo këtij postimi, sepse po ndihem që ka disa muaj që ju kam ngelur borxh me një shpjegim/arsyetim.
Unë e kuptoj se me përgjegjësinë e të qenit pjesë e jetës publike, ka edhe pasoja, siç është më kryesorja, ajo e të mos pasurit jetë private - jetë private kam, por për fatin tim të mirë apo jo edhe aq të mirë, e tëra ka qenë super-transparente gjatë gjithë kohës që unë kam qenë pjesë e jetës publike.
Unë e kam të qartë se kur kam kërkuar mbështetjen tuaj për projektet e mia artistike-muzikore, në një formë krijohet opinioni se edhe jeta ime private mund të bëhet pjesë e debatit. A pajtohem me këtë? Natyrisht se jo. Aq më tepër që këto publikime (shpesh të paverifikuara paraprakisht) nuk më ndikojnë vetëm mua, por kanë impakt edhe në familjen time, miqtë e mi e rrethin tim. A është normale që diçka e tillë të ndodhë? Absolutisht se po.
Të kthehem edhe njëherë tek fillimi i letrës, meqenëse do të jetë adresimi im i fundit lidhur me këtë temë. Unë dhe Afrona Dika i kemi dhënë fund martesës sonë 2-vjeçare në maj të këtij viti. Arsyet janë tërësisht personale dhe që na përkasin vetëm neve. Nuk ka pasur asnjë moment hapesire për interpretim, keqinterpretim apo përdorim të imagjinatës.
Pra, miq e dashamirës, lidhja jonë ka përfunduar, ndaj situata është e rënduar ashtu siç është, madje edhe pa e kthyer në pjesë të debatit publik.
Unë po ju drejtohem me një kërkesë për herë të parë dhe të fundit, me shpresë që do të has në mirëkuptimin tuaj - ta lëmë ashtu siç është këtë pjesë të jetës sime dhe të mos merremi më gjatë me të. Ky është vendim i cili na përkiste vetëm mua dhe Afronës, ndaj dhe dëshiroj që ta mbajmë të tillë.
Do ta vlerësoj shumë nëse do të më mirëkuptoni, meqenëse kjo vërtet do të jetë hera e fundit kur unë do t’ju adresohem për këtë çështje.
Faleminderit nga zemra për kohën.
I juaji,
Blero.”
View this post on Instagram