Dhënia e ushqimeve shtesë shumë vonë është e rrezikshme, sepse fëmija nuk merr ushqimin që i nevojitet për të plotësuar nevojat për energji dhe nutrientë, fëmija ndalon rritjen, ose rritet ngadalë. Foshnjat gjatë vitit të parë të jetës, veçanërisht pas moshës 6-muajshe kanë nevoja të shtuara për marrjen e hekurit me ushqim, sepse këto nevoja nuk mund të plotësohen vetëm me ushqyerjen me qumësht gjiri.

Për t’u siguruar se fëmijët e vegjël rriten mirë dhe janë të shëndetshëm është e rëndësishme të njihet se çfarë ushqimesh duhet t’u japim, sa duhet t’u japim dhe sa shpesh ato janë të nevojshme. Qumështi i gjirit duhet të jetë ushqimi kryesor gjatë gjithë vitit të parë të jetës së foshnjës dhe është një ushqim i rëndësishëm gjatë vitit të dytë. Qumështi i gjirit vazhdon të ofrojë faktorët kundër infeksioneve, të cilat i ka vetëm ai dhe në ushqimet e tjera mungojnë. Ushqyerja komplementare kupton dhënien e ushqimeve të tjera, si shtesë e qumështit të gjirit. Gjatë kësaj periudhe, një foshnjë gradualisht mësohet për të ngrënë ushqimet e familjes. Në fund të kësaj periudhe (zakonisht rreth moshës 2 vjeç) qumështi i gjirit është i zëvendësuar komplet nga ushqimet e familjes, megjithëse ndonjëherë fëmija mund të kërkojë të thithë gjirin për rehati.

Ka dy lloj ushqimesh që përdoren në ushqyerjen komplementare:

Ushqime të industrializuara të homogjenizuara, të përgatitura posaçërisht për këtë periudhë.

Ushqimet e zakonshme të familjes, të cilat janë ndryshuar për t’i bërë ato më të lehta për t’u ngrënë nga fëmija dhe për të ofruar sasinë e duhur të lëndëve ushqyese. Për shembull një nënë mund të përgatisë një muhalebi të hollë posaçërisht për foshnjën e saj. Përgatitja e ushqimeve në formë pureje, ose të shtypura si pelte ndryshon përbërjen e tij nga ushqimi i familjes, duke e bërë që fëmija ta hajë atë më lehtë. Ushqimet e familjes gjithashtu mund të ndryshohen duke i shtuar diçka ekstra, p.sh. vitaminë A, hekur, ose më shumë vaj për energji.

Kur duhet të fillojnë ushqimet komplementare?

Ushqimet komplementare duhet të fillojnë kur foshnja nuk mund të marrë më energjinë dhe nutrientët vetëm nga qumështi i gjirit. Për shumë foshnjë kjo ndodh midis moshës 4- 6−muajshe. Kjo gjithashtu është mosha kur nervat dhe muskujt e gojës zhvillohen sa duhet për ta lejuar foshnjën të copëtojë, kafshojë dhe bluajë. Përpara 4 muajve foshnjat e shtyjnë ushqimin në gojë sepse nuk mund të kontrollojnë lëvizjet e gjuhës së tyre. Në moshën 4-6 muajsh bëhet më e lehtë të ushqehen me muhalebi të hollë, pure me zarzavate etj., sepse në këta fëmijë fillimi shumë i hershëm ose shumë i vonshëm i ushqyerjes komplementare është i padëshirueshëm.

Shenjat se një fëmijë është gati janë:

Është të paktën 5-6 muajsh.

Merr shpesh ushqyerje me gji, por duket i uritur menjëherë mbas ushqyerjes.

Nuk shton si duhet në peshë.

Kujdes!

Dhënia e ushqimeve komplementare shumë herët është e rrezikshme sepse fëmija nuk ka nevojë ende për këto ushqime dhe ato mund të zëvendësojnë qumështin e gjirit. Nëse do të jepen këto ushqime foshnjat marrin më pak nga qumështi i gjirit dhe nëna prodhon më pak, kështu më vonë mund të jetë më e vështirë të plotësohen nevojat ushqyese të fëmijës. Fëmija merr më pak faktorë mbrojtës nga qumështi i gjirit. Rreziku i diarresë rritet gjithashtu, sepse ushqimet komplementare mund të mos jenë aq të pastra sa qumështi i gjirit. Ushqimet e dhëna në vend të qumështit të gjirit shpesh janë të holla, p.sh. muhalebi, paluze të ujshme, ose supa sepse këto janë më të lehta për t’u ngrënë nga foshnja. Këto ushqime mbushin stomakun, por ofrojnë më pak lëndë ushqyese se qumështi i gjirit dhe kështu nuk plotësohen kërkesat e fëmijës. Nënat kanë më shumë mundësi të mbeten shtatzënë nëse ato ushqejnë fëmijët e tyre më shpesh me gji.

Rekomandimet për ushqyerjen:

Ushqe me gji deri në gjashtë muajsh aq shpesh sa dëshiron fëmija ditën dhe natën, të paktën 8 herë në 24 orë.

Jep ushqime të tjera vetëm nëse fëmija duket i uritur pasi ushqehet me gji ose nuk po shton si duhet ne peshë. Nëse është kështu shto ushqimet plotësuese (të moshës 6-12 muajsh). Jepi këto ushqime vetëm 1-2 herë në ditë mbas ushqyerjes me gji.

Mosha 6- 12 muajsh: Ushqe aq shpesh me gji sa dëshiron fëmija. Jep porcionet e përshtatshme të: qullit të hollë me miell orizi, shto sheqer dhe vaj ulliri, ose gjalpë me qumësht kutie. Përzierje puresh me zarzavate, patate, përzierje me peshk, ose fasule dhe zarzavate jeshile. Jepi 3 vakte në ditë nëse ushqehet me gji. Jepi 5 vakte në ditë nëse nuk ushqehet me gji. Jepi ndërmjet vakteve ushqime të pasura me lëndë ushqyese si vezë, bukë, banane.

Fëmijët e moshës 6-11 muajsh, kanë nevojë për më pak ushqime plotësuese sepse kërkesat e tyre për energji janë më të vogla. Por kujtoni se nevojat e tyre për hekur janë më të mëdha, kështu ka mjaft rëndësi të përfshihen ushqimet e pasuara në hekur për fëmijët më të vegjël.

Në moshën 7-8 muajsh, fëmija ka filluar të nxjerrë dhëmbët dhe mund të koordinojë lëvizjet e nofullës për të përtypur ushqimet e ngurta. Gjithashtu shumë foshnja në këtë moshë mund të mbajnë filxhanin në duart e tyre.

Mishi, bishtajat dhe e verdha e vezës gjithashtu mund të fillohet kur fëmija është mbi 7 muajsh, si shtesë e frutave dhe zarzavateve që janë filluar më parë. Ato janë të pasur në vitamina dhe minerale.

Kur fillohen bishtajoret. Fillohet me një ose dy lugë çaji dhe gradualisht rrit sasinë në dy ose tre lugë gjellë në fund të javës. Zarzavatet si thjerrëza dhe bizelet kanë një përmbajtje të lartë proteinike. Proteinat në bishtajat ka vlerë më të lartë se në drithërat. Ato janë po ashtu ushqyese si ushqimet me origjinë shtazore dhe shpesh janë më pak të shtrenjta.

Veza. Duhet dhënë e verdha mbas moshës 7-8 muajsh. E bardha e vezës mund të japë alergji, për këtë ajo duhet dhënë mbas muajit të 10, 11-të. Mos jep më shumë se dy herë në javë një vezë. Fillo me sasi të vogla të verdhen e vezës. Rrite gradualisht sasinë deri sa fëmija të marrë gjithë vezën.

Mishi. Filloni me mish pule sepse ai shkakton më pak alergji se ai i lopës. Duhet pastruar dhjami dhe lëkura e pulës. Të zihet mirë për të mënjanuar parazitozat. Mishi të copëtohet në pjesë të vogla përpara se të gatuhet dhe të bluhet mirë, për të ndihmuar tretjen te fëmija. Fillo me një ose dy lugë çaji me mish. Rrite gradualisht sasinë me dy–tre lugë gjellë në fund të javës.

Peshku. Në përgatitjen e peshkut, gjithnjë hiqet lëkura dhe halat. Mos e fillo peshkun përpara se fëmija të jetë mësuar të hajë një llojshmëri ushqimesh të tjera. Peshku mund të jepet bashkë me orizin, drithërat dhe zarzavatet.

Kosi mund të jepet veçan. Ai mundet gjithashtu të jepet me oriz të përzierë/pulë, oriz/mish, oriz/vezë ose ndonjë recetë tjetër.

Në muajin e 9-të, sa më shpesh të jetë e mundur të vazhdohet ushqyerja me gji. Në këtë kohë foshnja është mësuar me shumë ushqime që gjenden në shtëpi. Fëmijës mund t’i jepen zarzavate të ndryshme në formë supe, pureje, të përziera me mish ose pule apo peshk, ose bishtajore dhe përzierje të tjera duke përdorur orizin.

Drithërat mund të përzihen me qumësht lope. Kosi, djathi i freskët, frutat dhe lëngjet e freskëta të frutave duhen vazhduar. Foshnja duhet gjithashtu të hajë disa ushqime të familjes pa i shtuar kripë, sheqer dhe erëza.

Muaji i 10-12-të

Në këtë moshë fëmija është gati të hajë dietën e familjes.