Ermal Mamaqi i drejtohet publikut jo përmes ekranit, por nëpërmjet librit. ‘Në garë me veten’, kështu e ka titulluar autori përmbledhjen e momenteve thelbësore të jetës së tij të cilat për publikun vijnë si një leksion për kapërcimin e sfidave dhe rrugën drejt suksesit.
‘Të gjitha trajnimet që kam marrë këto vite, të gjitha mësimet që kam marrë dhe nga jeta, i kam “paketuar” në një libër. Besoj do të zgjojë dëshirat e shumë shpirtrave që besoj duan të marrin më shumë nga kjo jetë, që duan të jenë më shumë dhe që duan të kenë më shumë.
Për librin e Ermalit pati jo pak reagime, por autori ka një përgjigje për mbështetësit dhe skeptikët.
‘U jam mirënjohës të gjithë miqve që më kanë përgëzuar paraprakisht, por për pjesën tjetër që është surprizuar kaq shumë për guximin tim për të shkruar, nuk më bën asnjë gjë përshtypje sepse jam mësuar që të marr këtë reaksion në çdo projekt që unë bëj në fillim, ndodh kjo. Për ata që kanë paragjykime, i këshilloj që ta lexojnë më përpara.
Libri i Ermal Mamaqit, që prej pak ditësh ka parë dritën e botimit do të jetë në çdo librari për të gjithë publikun që do të njohë një dimension tjetër të aktorit të humorit, por tanimë dhe si autor.