Google është një nga kompanitë më tërheqëse në botë për të punuar. Thjesht prestigji i saj është i mjaftueshëm për të tërhequr masat – pa marrë parasysh pagat mbi mesataren dhe hapësirat e zyrave që ngjajnë me disa nga hotelet më të mira, të krijuara në mënyrë profesionale dhe me restorante, qendra fitnesi e masazhi brenda kompanisë.

Por, nuk janë vetëm ushqimi falas apo zyrat e bukura faktorët që i bëjnë punonjësit e Google të jenë të lumtur. Në fakt, është diçka që shumë njerëz do të mendonin se do ta bënte stafin të jepte dorëheqjen menjëherë

Në një përpjekje për të rritur produktivitetin e punonjësve, Google ka gjetur një strategji tepër të thjeshtë për të rritur kënaqësinë e punonjësve: jepuni atyre më shumë punë!

Po, e lexuat mirë: për të rritur lumturinë e punonjësve, jepuni atyre më shumë punë, jo më pak. Në fakt, ky është thelbi i strategjisë më të çuditshme, por edhe më efektive në periudhën e Dorëheqjes së Madhe.

Këtu janë tre mënyra të thjeshta nga Google, të cilat mund të përdoren nga çdo biznes për të shtuar kënaqësinë e punonjësve.

 

Jepini stafit më shumë qëllim, duke u dhënë atyre më shumë punë

Sado që askush nuk dëshiron të jetë i mbingarkuar, një nga aspektet më negative të një pune është kur nuk ka mjaftueshëm punë për të bërë, gjë e cila bën që koha për punonjësit të ecë me shpejtësinë e një kërmilli.

Kur stafi mbetet duke parë orën pasi nuk kanë mjaftueshëm punë për të bërë, kjo gjë nuk është thjesht e mërzitshme për ta, por edhe joproduktive për kompaninë.

Duke lënë mënjanë mërzinë dhe pasojat e mpirjes së mendjes nga të ndenjurit pa bërë asgjë, një arsye më e rëndësishme pse fakti që i jepni punonjësve më shumë punë i bën ata më të lumtur, është se në këtë mënyrë, ju jeni duke u dhënë atyre një ndjesi të qëllimit dhe të një arritjeje në punën e tyre.

Kur punonjësit ndihen sikur janë duke përfunduar vazhdimisht detyrat e ngarkuara dhe duke përmbushur afatet e dhëna, ata kanë një ndjenjë krenarie dhe kënaqësie në punën e tyre.

Psikologjikisht, njerëzit priren që të kenë nevojë për një ndjesi të qëllimit. Ne duhet të ndihemi sikur po bëjmë diçka që ka kuptim dhe që është e vlefshme. Të pasurit një qëllim sjell një mori përfitimesh për njerëzit, të cilat shtrihen edhe përtej vendit të punës, sipas një studimi nga Universiteti Cornell.

Përfshini stafin në projekte që nuk janë pjesë e detyrave të tyre të drejtpërdrejta

Një mënyrë për të përfshirë stafin më shumë dhe për të shtuar punën pa i ngarkuar ata me thjesht një sasi më të madhe të së njëjtës punë, është që të ndryshoni llojin e punës dhe t’i përfshini ata në projekte me ekipe të tjera. Kjo i ndihmon njerëzit që të shfaqin aftësitë, njohuritë dhe perspektivat e tyre unike, ndërkohë që i mundëson edhe krijimin e më shumë marrëdhënieve profesionale, duke marrë ndërkohë më shumë njohuri dhe përvoja.

Kjo mënyrë e ndihmon stafin që të bëhet më i gjithanshëm, gjë që është reciprokisht e dobishme si për punëdhënësin, ashtu edhe për punonjësin.

Vendosni objektiva më të lartë për ta ndihmuar stafin që të arrijë nivele të reja

Kur njerëzve u jepen qëllime më të larta, ata kanë ecuri më të mirë sesa po t’u jepen qëllime më të lehta, sipas një studimi të publikuar nga Universiteti i Minesotës. Një nga fushat ku Google dallon është vendosja e qëllimeve shumë të larta për punonjësit.

Nuk është për t’u habitur që ekipi i “tejkalimit të pritshmërive” i arrin qëllimet që u janë dhënë – edhe pse ato janë shumë mbi mesataren e industrisë.

Mund të mos ju duket e logjikshme, por statistikat tregojnë se është më mirë që të keni një staf i cili ndihet i mbingarkuar, sesa një staf që ndihet sikur nuk ka punë për të bërë.

Kjo nuk do të thotë që punëdhënësit duhet të krijojnë një armatë skllevërish. Kjo do të thotë që punëdhënësit duhet të kenë besim te stafi i tyre dhe t’i ndihmojnë ata të arrijnë nivele të reja, duke shtuar aftësitë e tyre.

Kur u mundësojmë të tjerëve që të shkojnë përtej kufijve të detyrave të përditshme, ne i ndihmojmë ata të arrijnë nivele të reja. Njerëzit ndihen më të vlerësuar sepse janë në gjendje të tregojnë vlerën. Ata ndihen më të përmbushur në punën që bëjnë dhe më të vlerësuar në ambientin e punës.

Dhe, kur ata ndihen kështu, kur puna e tyre është duke u dhënë aftësi të tjera të cilat do të mund t’ua jepte një punë diku tjetër, ata priren të qëndrojnë me kompaninë tuaj. / INC/monitor/