Kina ka regjistruar numrin më të madh të rasteve ditore me Covid që nga fillimi i pandemisë, pavarësisht masave të rrepta të marra për të eliminuar virusin.

Ka shpërthime në disa qytete të mëdha, duke përfshirë kryeqytetin Pekin dhe qendrën jugore tregtare Guangzhou.

Të mërkurën, vendi regjistroi 31,527 raste - numër më i lartë se kulmi prej rreth 28,000 i regjistruar në prill, kur qyteti më i madh i vendit, Shangai, u mbyll.

Sidoqoftë, vala në rritje e rasteve vjen gjithashtu disa javë pasi vendi liroi paksa disa nga kufizimet e tij Covid. Por përballë një rritjeje të rasteve në Pekin, si dhe vdekjeve të para nga virusi në disa muaj, zyrtarët kanë zbatuar tashmë disa kufizime në disa rrethe, me dyqane, shkolla dhe restorante të mbyllura. Qyteti qendror i Zhengzhou do të zbatojë gjithashtu një bllokim efektiv për 6 milionë banorë nga e premtja, njoftuan zyrtarët.

Politika e Kinës për zero Covid ka shpëtuar jetë në vendin me 1.4 miliardë njerëz, por gjithashtu ka dhënë një goditje ndëshkuese për ekonominë dhe jetën e njerëzve të zakonshëm.

Histori të vuajtjes dhe dëshpërimit për shkak të kufizimeve janë shpërndarë në internet dhe kanë nxitur pakënaqësi publike. Javën e kaluar, raportimet se një foshnjë në Zhengzhou vdiq për shkak se kujdesi mjekësor u vonua nga kufizimet e Covid, shkaktoi protesta të mëdha.

Kina është ekonomia e fundit e madhe që ende ndjek një proces të çrrënjosjes së Covid me testime masive dhe rregulla bllokimi.