Një djalë 5-vjeçar australian ka mundur të shpëtojë nga kafshimi, shtrëngimi dhe tërheqja zvarrë në pishinën e shtëpisë së tij nga një piton rreth tre herë më i madh se ai.

Beau Blake po shijonte notin në shtëpi kur zvarraniku 3 metra i gjatë e sulmoi, i tha babai i tij një radioje lokale.

Djali dhe gjarpri u tërhoqën nga pishina nga gjyshi i moshuar i Beau dhe djali u lirua nga pitoni nga babai i tij Ben. Fatmirësisht, Beau është në gjendje të mirë emocionale dhe shpëtoi vetëm me lëndime të lehta.

“Pasi i pastruam gjakun dhe i thamë se ai nuk do të vdiste sepse nuk ishte një gjarpër helmues... ai vërtet u bë shumë mirë”, tha babai i tij Ben për radiostacionin e Melburnit 3AW të premten për incidentin që kishte ndodhur një ditë më parë.

Ben tha se familja do t’i monitoronte plagët e kafshimit për shenja infeksioni.

"Beau sapo po ecte anës pishinës... dhe besoj se pitoni ishte ulur atje duke pritur që të vinte një viktimë... dhe Beau ishte preja. Pashë një hije të madhe të zezë që doli nga shkurret dhe ai u mbështoll plotësisht rreth këmbës së tij."

Pa menduar gjatë, gjyshi 76-vjeçar i Beau, Allan, u hodh në pishinë dhe ia kaloi djalin dhe pitonin Ben-it.

"E lirova brenda 15-20 sekondave," tha Ben.

Ben më pas u mbajt pas pitonit për rreth 10 minuta ndërsa u përpoq me dëshpërim të qetësonte fëmijën dhe babanë e tij, përpara se ta lëshonte gjarprin përsëri drejt bimëve. Ben tha për stacionin radiofonik se pitonët ishin të zakonshëm në zonën ku jetojnë.

Burimi: BBC