"Luftë dhe Trëndafila", një novelë që ka në qendër dashurinë për familjen, plagët e luftës dhe çeljen e trëndafilave si simbol i dashurisë për jetën edhe në kohë humbjesh dhe rrënojash. Trëndafilat plot gjemba janë krijimtari, dëshirë dhe shpresë për një rilindje mes stuhive.

Autorja e re Ambra Hysa, vjen me botimin e saj të katërt, këtë herë me novelën e titulluar "Luftë dhe Trëndafila" që u promovua në panairin e librit, duke i dhënë një shije të freskët dhe të ëmbël stendës së librave në Pallatin e Kongreseve.

Kjo novelë i ngjan një kujtese filmike, është e shkurtër dhe esenciale, por lë pas një shije të mirë... si ajo e kafes turke në një pasdite të ftohtë dimri.

“Luftë & Trëndafila” kjo esencë që autores i pushtoi zemrën një dimër më parë, por të gjitha dallgët e trazuara të zemrës u qetësuan kur u ul në makinën e shkrimit... Këtë histori, nuk ia kishte borxh vetëm Vikit të vogël, por Ambrës kur ishte vogëlushe dhe çdo vajze që beson verbërisht tek fuqia e dashurisë... Çdo vajze që ka një marrëdhënie unike me të atin, sepse kjo është historia baba-vajzë e Viktorias dhe Borisit, po aq sa romanca në kohë lufte e Tatianës dhe Ivanit.

Ky rrëfim është i ndjeshëm dhe do t'ju mbajë gjatë të afeksionuar me dy historitë e gërshetuara mistikisht me njëra-tjetrën.

Mesazhi i librit është dashuria e pastër dhe e pakursyer njerëzore, një dashuri që nuk rrjedh gjithmonë nga gjaku... sepse ndodh që edhe njerëzit të cilët nuk janë gjaku yt, të bëhen familja jote.