Titulli: Kompleksi im i Edipit dhe rrëfenja të tjera

Titulli në origjinal:

My Oedipus Complex and other stories

Autor: Frank O’Connor

Përktheu: Sokol Çunga

Zhanri: Tregime

Data e botimit: Nëntor, 2022

Numri i faqeve: 566

Çmimi: 1500 lekë

Koleksioni: Skandal

“Çdo libër i ndaluar ia vlen për t'u lexuar.” 

Isaac Asimov

Mosha e sugjeruar: 18 vjeç e lart

Libri me një fjali

Një përmbledhje me tregime që hedh dritë në komplekset më të hershme të njeriut, në ato më të errëtat dhe më të vështirat për t’u kapërcyer.

Informacion i përgjithshëm rreth librit 

Me parathënie nga shkrimtari i njohur anglez Julian Barnes

“Kompleksi im i Edipit dhe rrëfenja të tjera” është një përmbledhje tregimesh e shkrimtarit irlandez Frank O’Connor, përzgjedhur nga Julian Barnes. Në to, përmes rrëfimeve mbi fëmijërinë dhe martesën, seksin dhe fenë, luftën dhe pleqërinë, O’Connor-i shpalos në formën më të plotë zhdërvjelltësinë, humorin dhe mprehtësinë e tij. Ai përshkruan djelmosha, të bindur se janë gjeni apo që i ka kapërthyer rivaliteti me babanë e tyre, si dhe ushtarë të Ushtrisë Republikane Irlandeze, që duhet të marrin vendime të vështira në mes të një lufte topitëse. Diku tjetër, një grua e moshuar kërcënon të birin se do t’i shfaqet lugat, po të mos e varrosë në fshatin e origjinës, teksa një kurorë lulesh gati sa nuk shkakton skandal, sepse një dorë anonime e lë në funeralin e një prifti. Në këto përjetime të bukura të jetës së zakonshme – sa komike, aq dhe tragjike – O’Connor-i portretizon çaste të parëndësishme, që na çojnë tek e vërteta psikologjike që qëndron në zemër të personazheve të tij.

Kritika

O’Connor-i po bën për Irlandën atë që bëri Çehovi për Rusinë.

- William Buttler Yeats

Bujar në frymën që mbart, i mprehtë në perceptime, Frank O’Connor përçon freski dhe ëndje për lexuesin. 

- New York Review of Books

“Askund tjetër s’keni për të gjetur pamje më të gjallë, humoristike dhe thellësisht të kthjellët të Irlandës, sa në këto rrëfenja. Të gjithë kanë për t’i pëlqyer. Leximi fillon me shtangie dhe vijon duke mbajtur frymën, deri në fund.

- Daily Telegraph

Teknikë e mrekullueshme të shkruari, përmes së cilës universalizohen rrëfenjat, pa prekur përmbajtjen e tyre lokale.

- Observer

Frank O’Connor njihet prej kohësh si një nga tregimtarët më të shquar të këtij shekulli.

- Time and Tide

Këto rrëfenja të përkryera lexohen vërtet si muzikë.

- The Irish Press

Autori

Frank O’Connor është pseudonimi i Michael O’Donovan, lindur në Kork, në vitin 1903. Më së shumti autodidakt, në moshën dymbëdhjetëvjeçare, O’Connor-i nisi të përgatiste një botim me vepra të përzgjedhura të krijimtarisë së tij. Më vonë punoi si bibliotekar, përkthyes dhe gazetar.

Që në moshë të re, mësoi të fliste irlandishten dhe u zhyt në poezi, muzikë dhe legjenda gelike. Kur u internua nga Qeveria e Shtetit të Lirë, nuk e la këtë mundësi t’i shkonte dëm, por e shfrytëzoi për të mësuar disa gjuhë të huaja,  ndërsa studimin mbi Turgenievin, për të cilin fitoi edhe çmim pas kthimit prej internimit, e shkroi në gjuhën irlandeze. Me nënshkrimin “A. E.” filloi të  botonte poezi, tregime dhe përkthime në gazetën Irish Statesman. Gjatë kohës që në Kork vinte në skenë vepra të Ibsenit dhe Çehovit, një klerik vendas shkroi për të: “Majk kërriçi do të njihet nga brezat që vijnë si prijësi i muzave pagane të Dublinit”. Frank O’Connor-i jetoi në Dublin dhe u martua me një amerikane, me të cilën pati dy djem dhe dy vajza. Librin e parë, Guests of the Nation e botoi më 1931, pasuar nga më shumë se tridhjetë vëllime, kryesisht me tregime, si dhe me pjesë teatrale. Frank O’Connor vdiq në vitin 1966.

Fragmente nga libri

1) Mjafton që gruaja të mos flasë, të më lërë mua të ligjëroj, dhe unë bie kokë e këmbë në dashuri me të. Mirëpo, atëkohë nuk i dija simptomat. Dija vetëm se, kur rrije me dikë, kjo do të thoshte se kishe qëllim të martoheshe me të. Gjithmonë kisha në plan të martohesha me Nënën; tani ngjante se duhej të martohesha me dikë tjetër dhe nuk isha i sigurt nëse duhej të më pëlqente kjo gjë apo, si në futboll, do të ishte si ato ndeshjet ku lojtarët nuk luajnë dot pa u shtyrë.

2) Lufta ishte periudha më e paqtë e jetës sime. Dritarja e papafingos sime vështronte nga Juglindja. Nëna i kishte vënë perde, po nuk bënin ndonjë punë të madhe. Gjithmonë zgjohesha sa shkrepte drita dhe, teksa gjithë përgjegjësitë e ditës së shkuar ishin vdirë, më dukej vetja krejt si dielli, gati për të shkëlqyer dhe për t’u ngazëlluar. Jeta nuk kishte qenë kurrë më e thjeshtë, më e kthjellët dhe plot me kaq shumë mundësi.

3) Mami, – i thashë atë natë kur po më ledhatonte, – a mendon se po t’i lutem fort Zotit, ai do ta çojë Babin prapë në luftë?

– Jo, i dashur, – tha me një buzëqeshje, – nuk ma merr mendja se do ta çojë.

– E pse jo, Mami?

– Sepse lufta ka mbaruar, i dashur.

– Po a nuk bën dot Zoti një luftë tjetër, po të dojë?

– Nuk do të donte, i dashur. Luftërat nuk i bën Zoti, por njerëzit e këqij.

– Ah! – ia bëra. U zhgënjeva. Fillova të mendoja se Zoti nuk ishte ai që e pandehte veten.

4) Atë, – thashë, duke ndier se mund t’ia hidhja paq, për aq sa e kisha  aty, me humor të mirë, – kisha thurur plane për të vrarë gjyshen. U duk sikur u trondit fort prej kësaj, se për pak nuk foli. – O Zot, – tha më në fund, – punë fort ngjethëse! Ç’ta shtiu në mendje?

– Atë, – thashë, duke ndier keqardhje për veten, – është grua e  padurueshme.

– Vërtet? – pyeti. – Pse është e padurueshme?

– Se ajo pi birrë të zezë, atë, – thashë, duke e ditur mirë prej Nënës se ky ishte mëkat vdekatar, dhe po shpresoja ta bëja priftin me anën time.