Kosova u trondit ditën e djeshme nga një ngjarje e rëndë pasi një grua shtatzënë u vra nga ish-bashkëshorti në një spital në Prishtinë.
Ditën e sotme është publikuar dhe autopsia që zbulon se në trupin e 35-vjeçares janë gjetur tre plumba, një në kokë dhe dy në gjoks.
Familjarët e viktimës kanë treguar se 35-vjeçarja që ishte edhe shtatzënë ka qenë e divorcuar nga ish-bashkëshorti.
Në një prononcim për mediat motra e viktimës, Burbuqe Brahimi, ka thënë se gjatë kësaj kohe motra e saj ka qenë e keqtrajtuar fizikisht dhe psikologjikisht.
“Motra ime ka qenë vetëm tre muaj e martuar. Na e kemi parë vazhdimisht gjatë atyre muajve se ka pasur probleme, kemi shkuar e kemi ndarë. Ish-burri ka vazhduar të vijë edhe te shtëpia. Ne jemi vetëm motra pa prindër e vëlla. Ai i ka thënë s’ke pse shkon në shtëpi të babës se nuk e ke askënd. Kemi shkuar se ka pasur dhunë, e kanë rrahur, me armë i kanë rënë në kokë, krejt trupin e ka pasur të plogësht”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka thënë se i dyshuari kishte kërkuar që fëmija pas lindjes t’i kthehet dhe se kanë lajmëruar policinë për këtë rast, por që nuk kanë marrë ndonjë ndihmë. “Sot në mëngjes ka pasur për të lindur, edhe pasi të lindte fëmijën do ia jepte ish-burrit. E kemi çuar rastin edhe në Polici më herët, por na kanë thënë keni mbrojtje, por askush kurrë nuk ka ardhur ta shoh”, ka vijuar Brahimi.