Pasi vrau me armë zjarri ish-bashkëshorten Hamide Magashin, autori Sokol Halili ka vrarë veten ditën e sotme. Kjo u bë e ditur nga ministri i brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili deklaroi se pavarësisht përpjekjes së policisë për negocim, ai vrau veten.
'Pas një pune intensive të të gjitha njësive të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin e tij, ai vret veten. Policia e Kosovës si dhe Inspektoriati Policor i Kosovës do të vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjitha rrethanave të vrasjes së gruas shtatëzënë dhe vetëvrasjes së autorit.'- bëri të ditur ministri.
Po ashtu, sot iu dha lamtumira e fundit Hamide Magashit. Viktima e cila ishte shtatzënë u vra dy ditë më parë para Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.
Ajo u ekzekutua në oborrin e maternitetit ku ishte e shtruar prej ditësh pasi ishte në javën e fundit të shtatzanisë. Çifti kishin qenë të martuar vetëm për 3 muaj pasi Halili kishte ushtruar dhunë ndaj saj.