Policia ka bërë me dije masat që ka marrë për Samitin e liderëve të Bashkimit Europian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, që do zhvillohet në Tiranë në datë 6 dhjetor.

Në një deklaratë për mediat, drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Rebani Jaupi, ka bërë të ditur me detaje planin e masave të ndërmarra, ku përfshihet edhe bllokimi i një disa rrugëve në kryeqytet. Bllokimet e rrugëve do të nisin që në orën 14:00 të datës 5 dhjetor dhe do të jenë në fuqi deri në përfundimin e samitit.

Në 6 dhjetor bllokohet Unaza e Madhe dhe rrugët përreth 'Air Albania', Blv. Bajram Curri nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit te rruga Ibrahim Rugova, Bulevardi Dëshmorët e Kombit nga ura e Lanës te Sheshi Nënë Tereza.

Brenda perimetrit të sigurisë lejohen vetëm qytetarët që kanë banesat pranë Rinasit, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Rinas.

Gjithashtu, për të mos krijuar pengesa në mbarëvajtjen e institucioneve që janë brenda perimetrit të sigurisë të këtij Samiti, si dhe të banorëve rezidentë në perimetrin e sigurisë:

– Hyrja e punonjësve të Radio Televizionit Shqiptar, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Themistokli Germenji”;
– Hyrja e punonjësve të AKSHI-së, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Jul Variboba”;
– Hyrja e punonjësve të Kryeministrisë, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga kahu i rrugës së “Elbasanit”;
– Hyrja e punonjësve të Kryesisë së Kuvendit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga kahu i rrugës “Ibrahim Rugova”;
– Hyrja e studentëve, do të bëhet në këmbë, nga rruga “Ibrahim Rugova” – sheshi “Shopen” – rruga “Lek Dukagjini” – Universitet;
– Hyrja e gazetarëve vendas dhe të huaj të ftuar në samit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Abdyl Frashëri”, në drejtim të pallatit të Kongreseve.