Ligjvënësit spanjollë miratuan të enjten një projekt-ligj të ri që u jep mundësi grave të marrin 'një leje menstruale' kur hasin dhimbje gjatë ciklit menstrual dhe forcon aksesin për abortin në spitalet publike. Ky ligj u miratua nga deputetët në dhomën e ulët të parlamentit spanjoll dhe tani do të shkojë në Senat.

“Ne e njohim shëndetin menstrual si pjesë të së drejtës për shëndet dhe luftojmë stigmën dhe heshtjen”- i tha Kongresit të Deputetëve Irene Montero, Ministrja e Barazisë e Spanjës dhe një anëtare e krahut të majtë radikal Podemos, një parti aleate me qeverinë e kryeministrit socialist Pedro Sanchez. 

Kohëzgjatja e pushimit që mjekët do të mund të japin për gratë nuk është përcaktuar në projektligj. Kur ky projekt-ligj të miratohet përfundimisht, Spanja do të bëhet vendi i parë në Evropë dhe një nga të paktat në botë që do ta integrojë këtë masë në legjislacionin e saj, duke ndjekur shembullin e Japonisë, Indonezisë apo Zambisë.

Megjithatë, ka rezerva rreth këtij ligji, veçanërisht brenda sindikatave që argumentojnë se ky ligj rrit mundësinë që punëdhënësit që duan të shmangin mungesat, të mos punësojnë goca dhe gra.

Aborti në spitalet publike

“Leja menstruale” është një nga masat kyçe në legjislacionin më të gjerë, i cili parashikon gjithashtu rritjen e aksesit ndaj abortit në spitalet publike. Më pak se 15 për qind e aborteve të kryera në vend ndodhin në këto institucione, kryesisht për shkak të kundërshtimeve nga mjekët. Ai gjithashtu do të lejojë të miturat të bëjnë abort pa lejen e prindërve në moshën 16 dhe 17 vjeç, duke anuluar kërkesën e paraqitur nga qeveria e mëparshme konservatore në 2015.

Aborti u dekriminalizua në Spanjë në 1985 dhe më pas u legalizua në 2010, por aborti mbetet një e drejtë e mbushur me vështirësi në këtë vend me një traditë të fortë katolike. Ky projektligj parashikon gjithashtu përforcimin e edukimit seksual në shkolla si dhe shpërndarjen falas të kontraceptivëve dhe produkteve të higjienës menstruale në shkollat e mesme.

Spanja është një vend që konsiderohet referencë për të drejtat e grave në Evropë, veçanërisht që nga miratimi i ligjit për dhunën gjinore në vitin 2004. Qeveria Sanchez ka më shumë gra se burra në radhët e saj.