Tashmë kemi patur shumë evente mediatike për të folur, por kryefjala e javës ka qenë absolutisht premiera e “Policë për kokë”.

Mbrëmjen e 11 janarit, oborri i Kinema Millenium ishte i mbushur si kurrë më parë me personazhet më të famshëm të kinemasë, medias dhe rrjeteve sociale për të shijuar premierën e filmit më të ri aksion-komedi. E gjithë hapësira ishte e krijuar në frymën e filmit, me vajza të veshura si police të cilat prisnin të ftuarit te hyrja, te simulimi i makinës ikonike të Maksit (dedektivit të luajtur nga Nik Xhelilaj) për të bërë foto, e deri te përzgjedhja muzikore.

Prania e rreth 300 të ftuarve ishte rekordi i parë që ky film shënoi, ndaj dhe “Policë për kokë” u shfaq paralelisht në dy hapësira të kinemasë. Personazhe si Rudina Dembacaj, Bes Kallaku, Isli Islami, Behar Mera, Jualian Deda, Niko Komani, Roza Lati, Jeri Lalaj, Kristi Janku (Kikiliciouss), Eduart Grishaj, por edhe Ilir Meta apo Monika Kryemadhi ishin vetëm disa nga emrat shumë të famshëm që shkelën në tapetin e kuq të kësaj premiere.

Në fjalët hapëse, regjisori dhe skenaristi Aldo Marku tregoi se sa e rëndësishme është që filma të tillë të realizohen, për të ngritur diskutime mbi problematika reale sociale përmes humorit. “Është hera e parë në jetën time që kam emocione. Në këtë sallë ndodhen disa nga personat më të rëndësishëm për mua, ata që kanë qenë të pranishëm në çdo hap të karrierës sime” – u shpreh bashkë-producenti dhe aktori kryesor Olsi Bylyku.

Filmi u prit shumë mirë nga audienca e cila përgjatë 90 minutave ka qeshur dhe është emocionuar në çdo skenë, duke e përmbyllur premierën me duartrokitje të gjata për të gjithë ekipin dhe aktorët. E në fakt, krijimi i një dyshje të tillë për të udhëhequr filmin si Olsi Bylyku dhe Nik Xhelilaj janë epitoma e dualizmit të filmit “Policë për kokë”, një realizim i cili qëndron me një këmbë tek komedia e me tjetrën tek denoncimi i korrupsionit, trafikut të drogës dhe problemeve akoma më emocionale si brengat dhe ndjenjat e fajit. Në fund të ditës ama, “Policë për kokë” është mbi të gjitha një film mbi miqësinë. Miqësinë e papritur, miqësinë e fortë, miqësinë e humbur e atë miqësinë që të ndryshon jetën, përgjithmonë.

Nga reagimi i publikut gjatë filmit dhe pas tij, “Policë për kokë” ishte një sukses i vërtetë dhe i padiskutueshëm. E teksa bisedimet për një seri të dytë të këtij filmi janë tashmë në tavolinë, ju mund ta shihni atë nga sot në rrjetin e kinemave Cineplexx në Shqipëri, Kinema Millenium, Kinema Rozafa si dhe nga data 13 janar në Cineplexx Kosovë dhe Kinema Cinemarine Prizren.