Para pak javësh “The Guardian” renditi mes 10 librave më të mirë për të lexuar për periudhën e “Perdes së Hekurt” , librin e Blendi Fevziut, “Enver Hoxha”. Prestigjiozja britanike e përshkroi si një “libër tronditës”.

I ftuar sot te “Rudina”, Blendi ndau sot të gjitha peripecitë e hasura gjatë botimit.

"Befasimi i parë ka qenë sepse është interesant edhe historia e botimit, me të u mor më shumë personi që unë kisha kontaktuar në atë kohë, Robert Elsie, i cili kishte njohje me shtëpitë botuese,  e kaloi librin. Historia është shumë e bukur sepse në momentin e parë shtëpia botuese tha nuk mund ta publikojmë librin dhe Elsie kishte këmbëngulur sepse unë s’kisha ndonjë kontakt me ta. Kërkoi pse-në sepse sipas tij ishte një libër që i qëndronte standardeve të botimit. Atëherë shtëpia botuese në konfidencë i tha që recensioni që ne kemi marrë është një recension që tregon që ka problematika libri. Elsie këmbënguli që ta shihte dhe shtëpia botuese u detyrua që t’ia çonte pa emrin e recensionistit. Kur ia çoi, ne vumë re që në recension faktet që argumentoheshin për mosbotimin ishin e kundërta e atyre që ekzistonin në libër."-rrëfeu ai.

Sakaq, Blendi zbulon se në planet e tij janë tre libra, dy prej të cilëve në formatin e albumeve që i përkasin dy tematikave të ndryshme. Libri i tretë është një projekt në vazhdim për një prej pasioneve më të njohura të Fevziut, udhëtimet.

"Jam duke shkruar 2-3 gjëra. Po punoj me dy projekte paralel. Një album për 25 vitet e emisionit “Opinion” që i mbusha verën e kaluar që do të jetë foto me tekst për të shpjeguar momentet, që në njëfarë mënyre është edhe një historik i këtyre 25 viteve në Shqipëri dhe po shoh mundësinë të ndërtoj një album me 100 foto që kanë bërë historinë e Shqipërisë,me tekstin përshkrues, që është si të thuash, një rishikim i historisë së Shqipërisë përmes fotove. Ndërkohë, kam një libër që e kam nisur, por e kam lënë pezull në varësi të zhvillimeve, që lidhet me udhëtimet. Domethënë me udhëtimet që unë kam bërë nëpër botë, me raportin si udhëtar. Raporti si udhëtar është shumë i ndryshëm në raportin me të turistit dhe i ndryshëm me atë të njeriut të zakonshëm."-tha ai.

Mes të tjerash, Blendi tregoi edhe diçka tjetër interesante, fotografinë në sfondin e tij të celularit. Dhe sigurisht është një foto me vajzat e tij.

"Me gocën kur ka qenë pa mbushur 1 vjeç dhe me gocën e madhe.Kjo është foto e bërë ditën e ditëlindjes time në 2016, që i bie gati sa është, gati 7 vjet tani. Goca ishte e vogël fare, s’kishte mbushur, gati 6-muajshe e pak, goca e madhe dhe e kemi bërë në verandën e shtëpisë."-tha ai duke zbuluar wallpaper-in.