E pamundur mos të keni dëgjuar për Charlie Hebdo, gazetën satirike franceze që ka qenë shënjestër e tre sulmeve terroriste: një në 2011, një në 2015 dhe një në 2020.  

Më i bujshmi ishte ai i 7 janarit të 2015, kur si pasojë humbën jetën 12 punonjës. Asokohe ekstremistët shënjestruan gazetën pasi botoi karikaturat që konsideroheshin fyese për Profetin Muhamed. Po ashtu, edhe dy sulmet e tjera kanë ardhur si shenjë "rebelimi" dhe hakmarrje për karikaturat që ka publikuar gazeta franceze.  

Këtë herë tërmeti në Turqi ka zënë faqen e parë në revistën satirike, e cila ka marrë reagime të shumta nga mediat në Turqi. 

Në një vizatim ku shfaqen ndërtesa të rrënuara me mbishkrimin “Tërmeti i Turqisë”, revista shkruan më poshtë: “Nuk ka nevojë të dërgohen tanke”. 

Mediat në Turqi e kanë interpretuar këtë si një karikaturë provokuese dhe tallëse. “Sondakika” e quan këtë karikaturë si të turpshme dhe larg humanizmit. 

Më të ashpra kanë qenë komentet e qytetarëve turq në rrjetet sociale mbi këtë karikaturë, të cilët njëzëri e quajnë atë të turpshme.