PARIS - Prindërit francezë duhet të mendohen dy herë përpara se të postojnë foto të fëmijëve të tyre në mediat sociale.

Të martën, anëtarët e komitetit të ligjeve të Asamblesë Kombëtare njëzëri nxorën dritën jeshile të projektligjit për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve për imazhet e tyre.

"Mesazhi për prindërit është se detyra e tyre është të mbrojnë privatësinë e fëmijëve të tyre," tha në një intervistë Bruno Studer, një deputet nga partia e Presidentit Emmanuel Macron që parashtroi projektligjin. “Mesatarisht, fëmijët kanë 1300 foto të tyre që qarkullojnë në platformat e mediave sociale para moshës 13 vjeç, para se të lejohen të kenë një llogari,” shtoi ai.

Presidenti francez dhe gruaja e tij Brigitte e kanë bërë mbrojtjen e fëmijëve në Internet një prioritet politik. Ligjvënësit po punojnë gjithashtu për kërkesat e verifikimit të moshës për mediat sociale dhe rregullat për të kufizuar kohën para ekranit të fëmijëve.

Studer, i cili u zgjodh për herë të parë në vitin 2017, ka ndërtuar karrierën e tij te siguria e fëmijëve në Internet. Në vitet e fundit, ai shkroi dy pjesë të legjislacionit novator: njëri që kërkon prodhuesit e telefonave inteligjentë dhe tabletëve t'u japin prindërve mundësinë për të kontrolluar aksesin e fëmijëve të tyre në Internet dhe tjetri që prezanton mbrojtje ligjore për fëmijët në YouTube.

Postimi i fotove të fëmijëve në Internet përbën një nga rreziqet kryesore për privatësinë e fëmijëve, sipas deklaratës shpjeguese të projektligjit. Gjysma e fotografive të shpërndara nga abuzuesit seksualë të fëmijëve u postuan fillimisht nga prindërit në mediat sociale, sipas raporteve të Qendrës Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar, të përmendura në tekst.

Legjislacioni i miratuar të martën përfshin mbrojtjen e privatësisë së fëmijëve të tyre midis detyrave ligjore të prindërve. Të dy prindërit do të jenë bashkërisht përgjegjës për të drejtat e imazhit të fëmijëve të tyre dhe “do të përfshijnë fëmijën … sipas moshës dhe shkallës së pjekurisë së tij/saj”.

Në rast mosmarrëveshjeje midis prindërve, gjyqtari mund të ndalojë njërin prej tyre që të postojë fotografitë e fëmijës pa autorizim nga tjetri. Dhe në rastet më ekstreme, prindërit mund të humbasin kujdestarinë mbi të drejtat e imazhit të fëmijëve të tyre "nëse shpërndarja e imazhit të fëmijës nga të dy prindërit cenon seriozisht dinjitetin ose integritetin moral të fëmijës".

Projektligji duhet të kalojë në një seancë plenare javën e ardhshme dhe në Senat përpara se të bëhet ligj.