Policia keniane ka zhvarrosur 47 trupa pranë qytetit bregdetar të Malindit, ndërsa po hetojnë një predikues që thuhet se u kishte thënë besimtarëve të një sekti fetar të vdisnin nga uria.

Mes viktimave kishte edhe fëmijë . Policia tha se zhvarrosjet janë duke vazhduar.

Varret e cekëta u gjendën në pyllin Shakahola, ku 15 anëtarë të Good News International Church u shpëtuan javën e kaluar.

Udhëheqësi i kishës, Paul Makenzie Nthenge është në paraburgim, në pritje të paraqitjes në gjykatë.

Transmetuesi shtetëror KBC e përshkroi atë si një "udhëheqës kulti" dhe raportoi se deri më tani janë identifikuar 58 varre.

Një nga varret besohet se përmban trupat e pesë anëtarëve të së njëjtës familje - tre fëmijëve dhe prindërve të tyre.

Z. Nthenge ka mohuar keqbërjen, por i është refuzuar lirimi me kusht.

Ai dyshohet se u tha ndjekësve të vdisnin nga uria në mënyrë që të "takonin Jezusin".

E përditshmja keniane, The Standard, tha se patologët do të marrin mostra të ADN-së dhe do të kryejnë teste për të përcaktuar nëse viktimat vdiqën nga uria.

Kenia është një vend fetar dhe ka pasur raste të mëparshme të njerëzve që janë joshur në kisha apo kulte të rrezikshme.