Pranvera ka trokitur, bashkë me të edhe vera e si çdo fillim sezoni, na mbetet të kthejmë sytë nga tendencat e fundit që propozojnë stilistët e markave të njohura në botë. Krahas veshjeve dhe aksesorëve, vëmendjen tonë e rrëmbejnë gjithmonë këpucët, çfarë këpucësh duhet të blejmë për të qenë në modë?
Në gardërobën tuaj, s’duhet të mungojnë këpucët e balerinave, të rehatshme, klasike dhe të përshtatshme për çdo rast, nga mëngjeset në zyrë e deri tek darkat elegante. Këpucët e balerinave janë të duhurat për vajzat dhe gratë e çdo moshe si alternativa me e mirë, për të zëvendësuar këpucët me taka që shumë herë janë aq të mundimshme…
Ashtu sikurse e dimë, origjina e këpucëve të sheshta është shumë e hershme dhe daton në vitin 1950, si propozim i shtëpisë së modës Repetto, por fama e tyre ka ardhur falë Brigitte Bardot dhe Audrey Hepburn, të cilat i kanë bërë ato unike dhe kaq popullore. Balerinat jo vetëm që janë rikthyer në pasarela, por në shumë raste janë transformuar duke ardhur më moderne, të përshtatura me veshje chic dhe të rehatshme.
Balerinat klasike janë ato të zeza dhe në ngjyrë bezhë, të cilat janë zgjedhja e parë për kombinimet e veshjeve në zyrë dhe në përditshmëri, por për t’i shtuar një prekje femërore, mund të shkoni për zgjedhje më të komplikuara, në ngjyra më të guximshme, por edhe me detaje dentelle apo qëndisjeje. Mos neglizhoni dhe opsionet me printe kafshësh apo ato me ngjyra me të ndezura, sepse do t’i jepnin notat e duhura një look-u tipik veror.