Një bisedë më 'Mbretin e Natës' gjatë ditës. Në një intervistë ekskluzive për revistën Class artisti i njohur, Dren Abazi ka folur për jetën e tij dhe NDOSHTA ne zbuluam diçka më shumë me disa pyetje për të...

Gjithnjë i dallueshëm, me pasion, inteligjent, profesional, një zë i veçantë, një nga artistët më sexy të estradës shqiptare, Dren Abazi flet për Class.

Për 15 vite, një këngëtar, kompozitor dhe instrumentist që lë gjurmë pas çdo projekti, nën shoqërinë e kitares dhe grupit Zig Zag Orchestra, ka performuar në qindra skena, duke kaluar edhe kufijtë e Evropës, nga festivali Jazz në Paris, 'Sunset Festival', 'Fete de la Musique', 'Balkan Trafik', festivalet e salla koncertesh të famshme në Evropë, deri në 'Sao Paolo e Rio de Janiero' në Brazil.

Në vitin 2014, kënga e tij “Natën” u zgjodh të jetë kolonë zanore e filmit Hollywood-ian “Let’s Be Cops” me Andy Garcia.

Dhe po në këtë vit, albumi “Afterparty” u zgjodh albumi i vitit nga akademia kombëtare “Kult” në Tiranë.

Tekstet e këngëve të Drenit, sidomos ato të albumit Mes Yjesh, janë ndër të paktat që të përfshijnë emocionalisht dhe mund të këndohen në shumë momente të jetës.

Dreni vjen nga një familje, ku arti rrjedh në vena. Nuk mund të mos përmendim edhe suksesin në muzikë edhe të vëllait të tij, Art Abazi.

Por fokusin do e kalojmë me 'Class' në një tjetër drejtim. A mund ta zbulojmë pse Dren Abazi, 38-vjeç, është single?! Apo e ka një partnere të fshehtë në krah?! Apo thjesht të kuptojmë se çfarë mendon një artist si Dreni për dashurinë...

Nga intervista kuptojmë se përtej artit dhe profesionalitetit, botëkuptimi i tij për marrëdhëniet është 'si një natë me hanë'. Është romantik, por edhe realist. Na tregon një 'peisazh' të jetës së tij sentimentale, duke na bërë ta njohim më tepër artistin e cilësuar si 'heartbreaker'..

Ne u frymëzuam nga titulli i këngës së fundit, ‘Ndoshta’, dhe ndoshta do të zbulojmë diçka më shumë:

Ndoshta, Dreni nuk beson në dashuri…

Jo, përkundrazi… Unë besoj që jeta pa dashuri, është jetë e humbur, e zbrazët dhe nuk ka kuptim...

Ndoshta, nuk mund të duash dot askënd më shumë se muzikën…

Dashuria është ajo që i jep kuptim jetës. Ndërsa pa muzikë patjetër që mund të jetohet. Thjesht, nuk është njësoj. Muzika padyshim që e bënë jetën tonë më të bukur. I jep shije. Muzika është kripa në 'gjellën' tonë të përditshme.

Ndoshta, nuk e ke gjetur dashurinë e vërtetë…

Kjo pastaj është diçka relative, që nuk mund të shikohet vetëm bardh e zi. Patjetër që kam pasur momente të vërteta dhe i kam jetuar ato.

Ndoshta, vajzat kanë “frikë” të kenë afër një artist që pëlqen dhe aventurat…

Nuk e di arsyen pse vajzat ose ndonjëra nga to mund të ketë një frikë të tillë, gjithsesi e vërteta e parë me të cilën duhet të përballemi në një marrëdhënie, patjetër që është të qenit rehat me profesionin dhe punën që bën partneri/partnerja.

Nëse është mjeke, bankiere, arkitekte, bukëpjekëse, këngëtare, secili nga keto profesione ka avantazhet por edhe pengesat kur vjen puna te oraret dhe koha, limitet dhe liria e të qenurit 24/7 në dispozicionin e tjetrit. Prandaj mirëkuptimi dhe pranimi i realitetit është i domosdoshëm.

Në të kundërtën mund të zgjedhim dikë, që rri 24 orë në shtëpi dhe s’bën asgjë :)

Ndoshta, je zhgënjyer…

Të gjithë ne besoj se jemi zhgënjyer në një moment o në një tjetër në jetë. E rëndësishme është që edhe pas zhgënjimit të gjejmë kurajon të shohim dritën në fund të tunelit. Suksesi, po flas në përgjithësi, jo vetëm në një raport njerezor, nuk është nje destinacion. Është një udhëtim i gjatë nga i cili nuk duhet të heqim dorë.

Ndoshta, Dreni ka tradhtuar dikur…

Nuk kam tradhtuar askënd që s’më ka tradhtuar. Në një mënyre ose tjetër, është një vijë e hollë që e ndan dashurinë nga tradhtia. Tradhtia, njëlloj si dashuria duhet të jetë reciproke, për të patur kuptim.

Ndoshta, e mendon veten gjithmonë single…

Jo, patjetër që jo. Gjithsesi është shumë më e shëndetshme të jesh single, se të jesh me njeriun e gabuar.

Ndoshta, ndonjëherë është e vështirë të kesh kudo shumë vëmendje nga vajzat…

Kjo pjesë pastaj është diçka e cila ka kohë që nuk më bën përshtypje, në sensin që me kalimin e kohës njeriu krijon një farë imuniteti karshi gjërave me të cilat mësohet. Po të isha akoma 20 vjeç do mendoja ndryshe, mbase. :)

Ndoshta, ke shumë projekte të reja në mendje dhe nuk ke kohë për dashuri…

Projekte të reja, këngë dhe muzikë shpresoj të ketë sa më shumë dhe për shumë kohë. Kjo është puna që më frymëzon më së shumti. Është një udhëtim, një mision, një rrugë, me shumë të panjohura përgjatë… Nuk bën të ndalojmë. Nëse ndalojmë humbasim gjithçka. Gjithsesi, për dashuri ka gjithmonë kohë. Dashuria është pjesë e pandashme e punës së përditshme.

Ndoshta, dikur ke pasur marrëdhënie me një personazh publik…

Ndoshta, s’më kujtohen…

Ndoshta, do të kemi një koncert tjetër së shpejti…

Koncertet janë pjesë e domosdoshme dhe e pandashme e punës së një artisti, koncertant, po e quaj kështu veten time, në sensin që publiku duhet në mënyrë konstante ta ketë mundësinë ta shoh dhe prek artistin 'live' për ta ushqyer dhe ruajtur raportin me të, në të njejtën kohë edhe artisti pa publik është i vdekur, inekzistent. Prandaj, koncerte do ketë, sa kohë të ketë muzikë dhe publik për këtë muzikë.

Ndoshta, ke kohë në një marrëdhënie, por nuk na e ke treguar…

Ndoshta nuk do ua tregoj juve të gjitha :) … (Pra ka diçka për të treguar... :) )

*Outfit by BOGGI MILANO

*Design Xhesika Berisha

*Photoshoot Anxhela Muça