Shkrimet për Shqipërinë nga mediat prestigjioze ndërkombëtare vazhdojnë. New York Times, BBC, Daily Mail, Rai 1 e shumë të tjera e rendisin vendin tonë në mesin e vendeve për të mos u humbur nga turistët.

Kësaj radhe është prestigjiozja amerikane CNN që e liston përkrah 11 destinacioneve të tjera si Peru, Tailandë, Maltë, Itali etj.

CNN zgjedh ta prezantojë me një foto nga Kruja historike, në një artikull që i dedikohet atyre që akoma i mundon pyetja se ku duhet të shkojnë këtë verë.

CNN e quan një thesar të Mesdheut Shqipërinë.

“Shqipëria është një perlë mesdhetare që ka të ngjarë të jetë më pak e mbushur me njerëz këtë verë sesa Greqia dhe Kroacia, thotë Joao Donadel, një tjetër këshilltar i udhëtimeve në EMBARK Beyond. Ka një vijë bregdetare të mrekullueshme me plazhe të paprekura; Butrinti, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që dikur ishte një koloni greke dhe qytet romak, i braktisur më vonë gjatë Mesjetës, plus mundësi për të ecur dhe eksploruar jashtë,” shkruan Jane Levere për CNN.

Sipas Organizatës Botërore të Turizmit të OKB-së, ky sezon veror pritet të jetë një sukses i udhëtimeve, me ardhjet ndërkombëtare tashmë në 80% të niveleve para pandemisë në tremujorin e parë të 2023 dhe një verë e fortë pritet në hemisferën veriore.