Lodhja është një term që përdorim për të shpjeguar një gjendje mungese energjie, një ndjesi përgjumjeje dhe qënien inaktive e të pamotivuar. Përgjumja mund të jetë shkak i lodhjes, por nuk janë e njëjta gjë.

Kemi të bëjmë me dy tipe lodhjeje:

Fizike: Përfshin dobësi muskulare. Individi shfaq vështirësi në kryerjen e aktiviteteve normale ditore si, p.sh.: ngjitja e shkallëve.

Mendore: Individi ka vështirësi të përqendrohet dhe të kryejë detyrat që i ngarkohen. Ai mund të ndihet i përgjumur ose mund të ketë vështirësi në qëndrimin zgjuar gjatë punës.

Cilët janë shkaktarët e vërtetë të lodhjes?

Shkaqet mjekësore

Sëmundje të ndryshme si: anemia, diabeti, tensioni i lartë, sëmundjet e zemrës, obeziteti, probleme me tiroidet, sëmundjet e mëlçisë, të veshkave, dhembja kronike, infeksione të shumta – mund të japin lodhje.

Shtatzënia, problemet me elektrolitet, defiçencat e vitaminave dhe mineraleve në organizëm.

Përdorimi i disa medikamenteve si antidepresantët, antihipertensivët, statinat, antihistaminikët, hipnotikët mund të japë lodhje. Vlen për t’u theksuar se ndërprerja e medikamenteve apo dhe ndryshimet e dozave mund të japë lodhje.

Shkaqe që lidhen me stilin e jetesës dhe punën që bëjmë.

Shqetësimet me gjumin (mungesa e gjumit, por dhe fjetja më shumë se sa i nevojitet trupit të njeriut).

Konsumimi i alkoolit dhe drogave.

Mungesa e aktivitetit të rregullt fizik.

Dieta e varfër ose e pabalancuar.

Puna me turne.

Stresi në vendin e punës.

Puna jashtë orarit, nën presion apo edhe papunësia.

3. Shkaqe psikologjike

·        Depresioni.

·        Ankthi dhe stresi.

·        Ndjesitë e keqardhjes.

 

Si ta largojmë?

Nuk ekziston një terapi specifike për trajtimin e lodhjes.

Zakonisht trajtohen shkaktarët e saj dhe, në mungesë të një patologjie të përcaktuar nga ana e mjekut, një stil jetese i shëndetshëm është thelbësor për t’u ndjerë në formë.

Aktiviteti fizik është i rëndësishëm i kombinuar dhe me një dietë të shëndetshme, e cila duhet të jetë e varfër në karbohidrate të rafinuar dhe e pasur me fruta perime, në mënyrë që të plotësohen nevojat e organizmit me vitaminat e mineralet e duhura.

Në raste specifike mund të përdorim edhe suplemente me vitamina e minerale.

·        vitaminat e grupit B ndihmojnë në transformimit e ushqimeve në energji për trupin,

·        vitaminat A dhe C kanë efekte antioksidante,

·        magnezi dhe kaliumi janë të rëndësishëm për kontraktimet muskulare dhe metabolizmin.