Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës u ndezën sërish këtë javë pasi policia e Kosovës bastisi zonat e dominuara nga serbët në veri të vendit dhe konfiskoi ndërtesat e komunave lokale.

Ka pasur përleshje të dhunshme ndërmjet policisë së Kosovës dhe paqeruajtësve të udhëhequr nga NATO-ja në njërën anë dhe serbëve vendas nga ana tjetër, duke lënë dhjetëra të plagosur nga të dyja palët.

Serbia ngriti gatishmërinë luftarake të trupave të saj të vendosura pranë kufirit dhe paralajmëroi se nuk do të qëndrojë duarkryq nëse serbët në Kosovë do të sulmoheshin përsëri. Situata ka nxitur sërish frikën për një ripërtëritje të konfliktit të viteve 1998-99 në Kosovë, që mori më shumë se 10,000 jetë dhe la më shumë se 1 milion të pastrehë.

Sekretarit amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka reaguar lidhur me tensionet përmes një deklarate në faqen zyrtare, ku shprehet se SHBA dënon dhunën ndaj KFOR-it të udhëhequr nga NATO, forcave të rendit dhe gazetarëve. Ai u ka bërë thirrje palëve në konflikt, Kosovë-Serbi që të marrin masat dhe të ulin menjëherë tensionet, ndërsa shtoi se situata e protestave është përshkallëzuar për shkak se qeveria e Kosovës kërkon të hyjë në ndërtesat komunale. Blinken ka dy kërkesa ndaj qeverisë së Kosovës, të sigurojë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre nga vendodhje alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore. Ai gjithashtu i ka bërë thirrje Serbisë dhe Presidentit serb Aleksandër Vuçiç të ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të përmbahen nga dhuna e mëtejshme. 

Një numër i madh qytetarësh serbë janë mbledhur prej mëngjesit të kësaj të mërkure për të protestuar në katër komunat në veri të Kosovës, kundër kryetarëve të rinj shqiptar. Të pranishëm në protestën e sotme janë edhe krerët e Listës Serbe Igor Simiç dhe Goran Rakiç. Krahasuar me një ditë më parë, numri i pjesëmarrësve serbë sot është më i lartë. Ndërsa KFOR dhe policia e Kosovës kanë shtuar masat, duke krijuar një perimetër sigurie rreth selive të komunave veriore përmes një gardhi me tela me gjemba.