"Të pakta janë herët, ashtu siç ndodh në jetën e çdo tokësori, kur kemi menduar që t'i japim fund. Zihemi edhe ne si të gjithë ata që dashurojnë, por sot jemi këtu për të thënë që fati na ka destinuar të jemi bashkë."- në zemrën e Kleas.

"Njerëzit dorëzohen sapo ju del para problemi më i vogël. Ne kemi zgjedhur të luftojmë bashkë jo vetëm për dashurinë, por për të hedhur çdo herë një hap më shumë, një hap më të madh." - në zemrën e Elgitit.

4 Qershor 2023...

Ngjyrat e perëndimit të diellit reflektonin mbi fytyrën e tij. Një shprehi fytyre që transmetonte rrahjet e forta të zemrës. Lotët u shfaqen në sy ndërkohë që para Elgitit po afrohej 'muzika' e tij e vërtetë, kuptimi i çdo këngë dhe kuptimi i 7 viteve dashuri, Klea Huta.

E shoqëruar nga babai i saj, në altarin e bardhë të dekoruar me lule natyrale, që i jepnin më shumë jetë atij momenti. E bukur si një zanë që është duke finalizuar ëndrrën e saj. Atë ëndërr që e ka jetuar për shumë kohë, Klea kishte në sy emocionin që çdo vajzë duhet ta ndjejë në jetë.

Përballë njëri-tjetrit dhe dhjetra njerëzve të dashur, ata thanë 'PO'. I thanë 'PO' dashurisë dhe sfidave të saj.

Më pas u shfaq krijimi më i bukur i jetës së tyre, Kridi, fryti i kësaj lidhjeje.

Dashuria shkon përtej mërive, betejave dhe gabimeve dhe nuk është prezente vetëm në momente të gëzueshme.

Të dashurosh do të thotë të besosh plotësisht, do të thotë që nuk do të ndryshosh me kalimin e kohës, as përmes stuhive dhe as përmes vështirësive. Dhe për ta shkëmbyer gjithë këtë dashuri duhet të hapësh zemrën pa asnjë kusht, pa asnjë pritshmëri.

Të tilla kanë qenë edhe 7 vitet e Klea Hutës dhe Elgit Dodës. Një çift që na mëson se si të shkëlqesh në ëndrra dhe pasione duke pasur pranë gjithnjë partnerin, pra një krah të djathtë.

Shkëndija që lindi gjatë krimit të këngës 'Amla' duket se ka krijuar një zjarr që nuk do të shuhet asnjëherë.

Me bashkëpunimin e skuadrës së Class Events, të cilët kontribuan për ta kthyer këtë dasmë në 'një vend larg realitetit', një vend ku gjen vetëm romanticitet dhe krijon kujtime që bëhen 'tatto' në zemër.

Stafi editorial i Revistës Class, edhe pse e përjetoi nga afër energjinë e këtij çifti të dashur për publikun, nuk u mjaftua...

" -Sa jemi zënë, sa jemi dash, sa jemi thy

Ja ku jemi bashkë, me njëri-tjetrin prapë..."

Këtu gjeni më shumë se 4 të vërteta për dashurinë e Kleas dhe Elgitit.

Një dashuri si e Elgitit dhe e Kleas zgjodhi të kurorëzohet anës detit sepse…

(Përgjigjet Klea)

Nuk ka vend më të bukur ne botë për mua se sa Jugu i Shqipërisë. Zgjodha Livadhin për rëndësinë që ka në zemrën time.

Kur e kam vizituar për herë të parë ka qenë veçse një plazh i virgjër. Gjithçka që ofronte ishte një bar modest dhe një qiell i pikturuar me ngjyrat më të bukura të perëndimit dhe të lindjes. Vit pas viti për 23 vjet kam qenë dëshmitare e zhvillimit të këtij peisazhi dhe për mua vera nuk mbaron pa kaluar të paktën tre ditë aty. Ka qenë dashuri me shikim të parë dhe kurrsesi nuk do të mund të zgjidhja vend tjetër për celebrimin e dashurisë tonë...

Një dashuri si Elgitit dhe e Kleas, bëhet më e fortë apo më e komplikuar me vëmendjen mediatike…

Ne e kemi nisur shumë herët rrugëtimin tonë artistik, secili individualisht dhe më pas bashkë… Ndaj dhe mendoj që kjo është arsyeja pse me kohën marrëdhënia ka mundur të bëhet më e fortë sepse unifikohet më shumë, por jo më e komplikuar.

Një dashuri e Elgitit dhe Kleas, ka sakrifikuar gjëra të tjera për “të mbijetuar”…

Dashuria patjetër ka sakrifica, por ka sakrifica të bukura, që ti kur i kujton dhe kthehesh pas me kujtime, gëzohesh që i ke bërë. Është e rëndësishme që çdo sakrificë e bërë të jetë për t’u jetuar me më shumë dashuri, siguri, stabilitet, por jo për të mbijetuar.

Një dashuri si e Elgitit dhe e Kleas, e finalizoi një ëndërr me këtë dasmë…

Një ëndërr të bukur… Por ne jemi të dy individë me shumë ëndrra, të cilat patjetër, me besimin në zot, do t’i çojmë përpara për t’i realizuar e finalizuar…

Një dashuri si e Elgitit dhe e Kleas, nëse do të ishte titull kënge do të quhej…

“Ah si qenka Dashnia” por jo si ajo e TL (Toxic Love)...

Një dashuri e Elgitit dhe e Kleas ka një parim të fortë që lidhet me…

Parimi ynë kryesor është besimi, komforti me të cilin e kemi shoqëruar këtë marrëdhënie gjithmonë…

Një dashuri e Elgitit dhe e Kleas solli në jetë Kridin, por shumë shpejt…

Por shumë shpejt do të sjellë gjëra edhe më të bukura që lidhen me jetën artistike të të dyve ne… Një motër apo vlla për Kridin? Ne jemi të dy me motra dhe vëllezër… Patjetër edhe Krid s’do të jetë fëmijë i vetëm, por jo tani..

Një dashuri si e Elgitit dhe e Kleas nuk do të toleronte asnjëherë…

Që të prekej apo cenohej secili nga njëri-tjetri. Lirinë profesionale dhe personale e kemi të rendesishme dhe jetike sepse në ndihmon të rritemi individualisht duke qenë më të plotësuar në partneritet.

Një dashuri si e Elgitit dhe e Kleas ka një sfidë të madhe dhe ajo është…

Besoj se sfidat i kemi ndjerë më shumë në fillimet tona. Sfida më e madhe e jona tani që patjetër e shohim me shumë përgjegjësi është vetëm ajo e të rriturit një fëmijë të lumtur, të gëzuar me parimet që çdo prind dëshiron të shohë te fëmija i vetë…

Një dashuri si e Elgitit dhe Kleas ka ndryshuar nga Kridi sepse…

Kridi është motivi kryesor i të dyve ne që vazhdojmë para patjetër… Edhe pse me angazhime të shumta, Elgiti nga ana e vëtë dhe unë në punët e mia, përpiqemi që Kridit t’i japim më të mirën. Kridi na e ka ndryshuar jetën sepse tek ai plotësohet shpirti e merr kuptim çdo gjë edhe kur gjërat nuk shkojnë mirë.

Një dashuri si e Elgitit dhe e Kleas nuk është perfekte sepse…

Vetëm krijuesi është perfekt. Ne të tjerët jemi njerëzor dhe njerëzorët nuk janë perfekt. Kështu jemi dhe ne të dy. Të vërtetë por jo perfekt.

*Flasim pak për dashurinë në anën profesionale*

Në kampin e dashurisë, një dashuri që lidhet me fëmijët dhe talentet e tyre...

Unë e kam nisur shumë herët me fëmijë, adoleshentë rrugëtimin tim artistik dhe kam dashur që e vogël të krijoja një ambient ku të vegjëlit apo adoleshentët të ndjenin ato emocione që unë dhe shokët e mi kanë ndjerë në atë kohë…

Çfarë e bën të veçantë për një fëmijë pjesëmarrjen në kampin veror?

Teknologjia na ka larguar nga emocionet reale, por kampi te dhuron ndjesi të vërteta, kujtime fanatstike për fëmijët që largohen me lot dhe vijnë më aq emocione vitin tjetër…

Kush prind nuk do donte që fëmija i tij të përjetonte atë fëmijëri që ata vetë e kanë jetuar? Dhe në kamp të gjitha këto përjetime janë kaq reale sepse cdo ditë është një aventurë më vete… Unë gëzoj bashkë me ta në aktivitetet e çdo dite e kthehem vetë pas në kohë… dhe mendoj: “Sa me fat jam që mund t’i përceptoj, ndjej ende këto lloj ndjesish që të jep bashkëjetesa me fëmijë të tjerë”.

Çfarë të motivon në punën tënde me fëmijët?

Më motivojnë sytë e tyre plot dëshira që shohin sytë e mi dhe kërkojnë përgjigjet e pyetjeve apo pasigurive që kanë… Më motivojnë ëndrrat e tyre që dua t’i shoh të realizuara për t’u rritur të lumtur, më motivojnë prindërit që na besojnë… sa shumëëë gjëraaa më motivojnë… Shiko se jam pak e ndjeshme si gaforre që jam hë…

5 arsye pse këtë verë mamat duhet të regjistrojnë fëmijët në KHA summer Kamp?

E para sepse do t’i dhurojnë fëmijëve lumturi dhe kujtime të paharrueshme, e dyta sepse do të shohin se sa pozitivisht ndikon kjo eksperiencë 10 ditore për cilindo fëmijë që mëson të bashkëveprojë në një komunitet me të tjerët ku të drejtat dhe “detyrat” për të gjithë janë të barabarta, e treta sepse do t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të jenë edhe më bashkëpunues, social, sportivë, të mundin barriera të tyre, e katërta sepse kampi është një destinacion magjik dhe në 10 ditë fëmijët jetojnë një ëndërr me organizimin që ka cdo ditë dhe e pesta… po e meritojnë dhe këta prindër të pushojnë pak apo jo?!...