T'i japësh kuptim asaj që ndjen...
Çdo vajzë e krijon një 'guaskë' në jetën e saj, në të cilën gjenden pasiguri, dilema, pikëpyetje, frikë, e deri në dhimbje e sakrifica.
Ti zgjedh të pranosh realitetin e krijuar brenda saj, por Endi Demneri ka zgjedhur të dalë nga 'guaska' e saj.
E veshur me fustanin ikonik nga marka Schiaparelli, ne 'lexojmë' tek Endi atë që duhet 'të lexohet' tek çdo vajzë:
Çlirimi nga palëvizshmëria prej manikine dhe lirimi i trupit për të bërë atë që dëshiron. Në fund të fundit trupi i gruas është kryevepra më e madhe e krijimit.
Fituese e kurorës së Miss Universe Albania 2023, Endit nuk i ka humbur ende rrezatimi i buzëqeshjes që u krijua në fytyrën e saj më datë 1 qershor në Pallatin e Kongreseve.
Me shumë hijëshi, Endi na tregoi se pasioni i saj për modelingun ka nisur në moshën e adoleshencës, në një kohë kur asetet e saj fizike ishin krijuar.
Dhe sot është duke e ndjekur këtë ëndërr, duke mos zgjedhur që vetëm ta shijoj, por edhe të kontribuojë duke trajtuar kauza të rëndësishme për vajzat, siç është endometrioza.
Dhe kjo është pikërisht 'guaska' e Endit, e cila nëpërmjet historisë së saj personale, krijoi një busull për shumë vajza ende të painformuara për këtë sëmundje.
"Diçka që unë e kam përjetuar dhe e di çdo të thotë të jetosh me këtë sëmundje dhe sa i rëndësishëm është informimi mbi të në kohë, në mënyrë të tillë që të trajtohet sa më shpejt dhe t’i japim kuptimin e duhur asaj që ndjejmë."
Kurorën Endi ia dedikon kësaj kauze që lidhet me endometriozën. Synimi i saj është të jetë një zë i qartë për çdo vajzë të keqinformuar.
Të njohim Endin përtej bukurisë së saj...
Çfarë është ajo gjë që ka ndryshuar më shumë në rutinën tënde pas marrjes së titullit Miss Universe Albania?
Prej vitesh, ditët e mia janë shumë të ngarkuara, sepse më është dashur të organizoj kohën për të ndjekur shkollën, për të punuar e për të përmbushur çdo detyrim ndaj familjes sime.
Sigurisht, që pas marrjes së titullit Miss Universe Albania, dita ime është shumë më e ngarkuar me punë e aktivitete. Tashmë, në eventet dhe programet televizive ku marr pjesë, me duhet të kujdesem që kurora e Miss-it të jetë e vendosur sa më bukur dhe e fiksuar mirë në kokë.
2 gjëra pozitive dhe 2 negative që ke përjetuar pas marrjes së kurorës?
Une jam natyrë që besoj tek ajo rrezja e shndritshme e diellit edhe kur moti është i vrenjtur e qielli i mbushur me re të zeza.
Po përjetoj një periudhë shumë të bukur e të suksesshme të jetês sime, ndaj energjia që më rrethon, më jep vetëm ndjesi pozitive.
Gjithsesi, jetojmë në epokën e rrjeteve sociale, ku më ndodh të shoh edhe komente jo fort dashamirëse.
I marr me sportivitet, se tek e fundit, jo të gjithë dinë ta duan e ta përkrahin të bukurën.
'Bukuria të hap shumë dyer në jetë', sa e vërtetë ka qenë kjo për ty?
Unë kam punuar fort për të realizuar dëshirat e mia, por sigurisht ndihem e bekuar që Zoti më ka dhuruar hijëshinë. Edhe pjesëmarrjen time në Miss Universe e kam parë si një mundësi për t’i dhënë zë kauzave që vlejnë, si edhe mbështetjen ndaj vajzave dhe grave, duke mos harruar asnjëherë se diamantët më të bukur krijohen nga presioni më i lartë.
Endometrioza, pse kjo zgjedhje?
Dëshiroj të sensibilizoj njerëzit rreth çeshtjeve të caktuara të lidhura me shëndetin e tyre. Mbi të gjitha vajzat të cilat po e kalojnë dhe nuk arrijnë dot t’i japin një shpjegim asaj që po përjetojnë. Përtej kësaj, me endometriozën, më lidhë fakti që është një kauzë personale. Diçka që unë e kam përjetuar dhe e di çdo të thotë të jetosh me këtë sëmundje dhe sa e rëndësishëm është informimi mbi të në kohë në mënyrë të tillë që të trajtohet sa më shpejt dhe t’i japim kuptimin e duhur asaj që ndjejmë.
Cila është “marrëdhënia” jote me këtë sëmundje?
Çdo problematikë në jetë, na jep mundësinë për t’u rritur dhe fuqizuar me të. Të njejtën gjë do e aplikoja lidhur me këtë sëmundje, do e konsideroja si një “marrëdhënie” ku kam rezultuar fitimtare dhe e fuqizuar.
Nje sëmundje të cilën e identifikova në kohë, pasi kuptova që diçka nuk po shkonte në rrjedhën normale me mua, kisha shqetësime dhe vështirësi në disa aspekte, ku në vend që të ndalesha dhe thjesht të shqetësohesha për to, të mendoja negativisht për veten dhe të hiqja dorë nga të ndihmuarit e vetes duke pranuar atë gjendje, vendosa të kërkoj ndihmë dhe ta trajtoj në kohë. Edhe tani jam këtu, në një pozitë ku mund të flas për të, duke uruar që të dëgjohem nga çdo vajzë, e cila mund ta identifikojë në kohë dhe ta trajtojë. Kjo është gjëja më e çmuar që mund të mbartim më vetë nga një problematikë, ta ndajmë me njerëzit e tjerë dhe të mos mbyllemi në vetvete.
3 gjëra që do të ndryshosh nëpërmjet kësaj kauze:
- Vështirësinë për të folur rreth problematikave personale.
- Informacioni mbi endometriozën të jetë më prezent që të vajzat në moshën e fëmijërisë të cilat sapo mund të kenë nisur ciklin e tyre menstrual.
Të kuptojnë që të tilla problematika mund të prekin çdo vajzë, pavarësisht pamjes së saj, famës që ka etj. Duke kuptuar sërish që problematikat rrjedhin nga një sëmundje dhe jo personi në vetvete.
- Reduktimin e stigmës te personat e tjerë mbi simptomat që paraqesin vajzat dhe gratë me endometriozë .
Pse mendon se vlen kjo kauzë në vend?
Në Shqipëri tematika të tilla janë ende tabu .Eshtë një sëmundje për të cilën mungon informacioni, mund të kalojnë vite ku vajzat hasin vështirësi në ciklin menstrual, kanë shumë dhimbje, parehati dhe ndihen të lodhura. Gabimisht këto mund t’ja atribojnë vetes, duke menduar që diçka nuk shkon me to, por në të vërtetë problematika qendron te sëmundja dhe jo te personi në vetvete.
Shpeshherë ndodh që të diagnostikohet keq, e gjithë kjo na bën të konsiderojmë endometriozën një sëmundje të padukshme për të tjerët, por shumë vendimtare për jetën e një gruaje / vajze. Shpeshherë ndodh gjithashtu që të keqkuptohen njerëzit të cilët vuajnë nga kjo sëmundje.
Edhe me e rëndësishmja, për simptomat e pasojat që ajo sjell, të cilat janë të parashtruara më lartë, ku përmbledhtazi vlen të theksohet impakti fizik e psikologjik dhe në faktin që kjo sëmundje ndikon në cilësinë e jetës dhe në mirëqenien mendore të gruas.
Çfarë duhet të ketë parasysh një vajzë që vuan nga endometrioza?
Një vajzë që vuan nga Endometriosis, duhet fillimisht të ketë informacione të lidhura me sëmundjen për ta identifikuar atë dhe për të kërkuar ndihmën e nevojshme. Kjo është një sëmundje tipike e aparatit gjenital femëror, që karakterizohet nga prania e endometriumit ku ai nuk duhet normalisht të ndodhet, pra jashtë mitrës ose në pjesë të papërshtatshme të mitrës.
Duhet të dijnë që nuk janë vetëm, pasi është një sëmundje e cila prek 5-15% të grave në periudhën fertile.
Karakterizohet nga simptoma si: dhimbja (gjatë ciklit menstrual), lodhje të vazhdueshme, te cilat sigurisht na shkaktojnë keqkuptime dhe problematika me njerëzit me të cilët ndajmë kohën.
Është një sëmundje serioze, e cila në stade të avancuara të saj shkakton infertilitetin. 30-40% e grave janë në rrezik.
Është një sëmundje e cila ndikon në çdo sferë tonën, personale, interpersonale e seksuale. Si rrjedhojë: depresioni, humbja e vetëbesimit, lidhjet e vështira sentimentale, problemet me humorin, stresi, izolimi, frika, impotenca janë lehtësisht të prekshme për një grua e cila vuan nga endometrioza.
Një mesazh për vajzat që synojnë të bukurën në çdo formë, ndoshta edhe duke rrezikuar?
E bukura gjendet te çdo individ, në formën e saj. Nuk ka standarte objektive të cilat mund ta përcaktojnë atë. E rëndësishme është, të qendrojmë me veten tonë, të kuptojmë çfarë na bën ne të jemi ne, çfare na bën të jemi të bukur, njerëzorë dhe t’ia afirmojmë këto cilësi vetes dhe t’i reflektojmë së jashtmi, pa u bazuar në standarte të caktuara se jashtmi dhe duke u përpjekur që këto cilësi t’ja njohim dhe njerëzve të tjerë, pa u kufizuar nga skemat tona personale mbi bukurinë. Të qëndrojmë më të hapur ndaj të bukurës pasi gjëndet kudo në formën e saj.
3 tipare që e bëjnë një vajzë Miss?
Thjeshtësia, eleganca, komunikimi, maturia e bëjnë një vajzë duket e bukur. Një Miss duhet të dijë të komunikojë, të ketë vetëbesim por të qëndrojë me këmbë në tokë, të jetë mirënjohëse.
Një ‘sekret’ në rutinën e kujdesit ndaj vetes nga Endi?
Ka vetëm një sekret: Uji dhe natyra
Qëndro e hidratuar, ushqehu shëndetshëm dhe shijo sa më shumë natyrën.