Një vajzë boshnjake po krijon një koleksion me kostume tradicionale ballkanike me shami koke dhe përparëse dekorative për kukullat 'Barbie', duke shpresuar të ngjallë interes për folklorin ballkanik ndërsa filmi i ri "Barbie" po bën namin në mbarë botën.

11-vjeçarja Esma Gljiva nga Sarajeva e filloi projektin e saj më shumë se një muaj më parë, pasi kishte parë disa kukulla me një cilësi të dobët në një dyqan suveniresh. 

“Këto ishin disa kukulla plastike të veshura me kostume folklorike, ato nuk ishin as kukulla të vërteta, ato nuk ishin të veshura fare siç duhet”, tha Esma për 'Reuters' duke treguar kukulla të reja nga koleksioni i saj. “Jam përpjekur ta bëj në një mënyrë më të mirë dhe mendoj se ia kam dalë”, tha ajo.

Esma nuk e ka parë ende filmin 'Barbie', por miqtë dhe familja e saj thonë se ajo mishëron frymën e pavarësisë dhe sipërmarrjes femërore që dominon filmin. E rritur në një familje kërcimtarësh amatorë të folklorit, Esma ka mësuar shumë për traditat multifetare të Bosnjës dhe është vetë anëtare e një grupi folklorik vendas.

Kukullat shfaqen të veshura me kostumet tradicionale folklorike të Bosnjës. 

Ajo është shumë precize kur bën kukulla të veshura me kostume tradicionale myslimane, të krishtera ortodokse dhe katolike dhe kujdeset për çdo detaji. Ajo thotë se i ka quajtur kukullat e saj "Kukullat Barbie Boshnjake" dhe po planifikon gjithashtu kostume folklorike boshnjake edhe për Kenin.

Esma merr porosi për kukullat e saj çdo ditë dhe i ka dërguar në Bullgari, Çeki, Turkmenistan, Norvegji, Britani dhe vende të tjera.

“Ne jemi shumë krenarë që ajo e përqafoi këtë projekt me kaq përkushtim dhe i kaloi ditët e pushimeve verore duke bërë këtë”, tha nëna e Esma, Adana Gljiva. “Ajo fitoi edhe para”.

Burimi: Reuters