I dashur, João Montez!
Të ftoj të bëjmë një xhiro bashkë për 5 minuta në Tiranë apo një vend të Shqipërisë dhe të të masim pulsin tënd për çdo vajza që sheh.
Jo për gjë por, të na ndjesh për mungesën e modestisë, Shqipërisë mund t’i mungojnë shumë gjëra përveç vajzave të bukura. Nuk e them unë, por e thonë renditjet në listat e vendeve me vajzat e gratë më të bukura në botë.
Ose ti nuk ke arritur të shohësh sa duhet sepse ke qenë i shoqëruar me bashkëshorten, ose thjesht ke dashur të krijosh disa polemika pasi si një ‘influencer’ që qenke duhet ta dish mirë se sa rëndësi ka krijimi i polemikave të tilla.
Më jep 5 minuta, João…
Të të tregoj se vajzave shqiptare, përveç bukurisë që u ka falur Zoti, i kushtojnë kujdes të veçantë linjave që t’i mbajnë në nivelin e duhur. E pamundur që ti në jug mos të kesh parë vajza me super forma në plazh, e sharmante e elegante në mbrëmje.
Ashtu siç ke vlerësuar bukuritë natyrore të Shqipërisë me ndërthyrjen e relievit malor dhe Rivierës së pakrahasueshme, ujëvarave, burime ujore, liqeneve, ashtu edhe vajzat tona… Shpesh i krahasojnë me bukuritë lindore, për sytë e mëdhenj dhe buzët shumë të plota, e aziatike për sytë e vegjël si bajame dhe lëkurën e errët. Të thjeshta, minimaliste, delikate, por edhe ekstravagante, me tipare e forma më të theksuara…
Bukuria e vjazave shqiptare ka tërhequr vëmendjen në pasarelat ndërkombëtare, në kopertina, në stadium të ndryshme të botës.. ka tërhequr vëmendjen e New York Times që në 1911, apo të Xhorxh Bajronit.
Që në vitet 1800 ai shkruante:
“Ndoshta janë raca më e bukur në botë. Nga tiparet edhe gratë janë të hijshme,vajzat arnaute janë shumë të bukura dhe kostumi i tyre është shumë piktoresk. Edhe hijeshinë e trupit e ruajnë më gjatë pasi rrojnë përjashta në ajër të lirë. Ato bëjnë jetë patriarkale,por kjo ndrydhje e përkohshme e personalitetit të tyre u duket e natyrshme, madje u jep krahë për të gjetur kuptimin e jetës në dashurinë dhe detyrën amtare. Janë po ato gra që në raste rreziku e nevoje shkojnë në luftë përkrah burrave dhe kurrë nuk dorëzohen për të mbrojtur nderin e tyre.”
Fotografë, gazetarë dhe historianë të huaj i kanë bërë jehonë bukurisë së vajzave shqiptare që në kohët kur Shqipëria e trazuar luftonte të bëhej shtet. Çudi që i ka shpëtuar syrit tënd.
Meqenëse sot bëhen 7 vjet nga shenjtërimi i Nënë Terezës, do të të tregoj se kombi ynë është personifikuar nga madhështia e saj, Nëna e gjithë Botës. Apo nuk po kërkoje këtë lloj bukurie?
E bukura dhe shijet janë subjektive, por ‘5 ditë dhe zero vajza nga ato që një person i shikon dhe thotë: ‘Dreq! Çfarë vajzë e bukur!’’ është një nga idiotësitë më të mëdha që kam dëgjuar këtë verë… me gjithë respektin!