“Arsye dhe ndjenjë” romani i parë i botuar i Jane Austen-it, më 1811,
fillimisht u botua me emër anonim.
Në faqen e parë, aty ku duhej të ishte
emri i autorit shfaqet vetëm teksti By a Lady (Nga një zonjë).
“Arsye dhe ndjenjë” romani i mprehtë dhe plot humor i Jane Austen, i
mbushur me të fshehta dhe ndrydhje, gënjeshtra e joshje, portretizon në
mënyrë brilante një botë, ku rregullat e ngurta familjare dhe shoqërore
përplasen me regëtimat e zemrës.
Tri motra humbasin të atin dhe gjenden ngushtë ekonomikisht për shkak të
makutërisë së kunatës së tyre. Një varg ndodhish të shkaktuara nga varfëria e
papritur do të ndikojnë edhe në jetën personale të tyre, sidomos të dy
motrave të mëdha.
Elinora dhe Mariana Deshud janë krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën. Mariana, e cila udhëhiqet nga zemra, bie kokë e këmbë në dashuri me një djalosh të pashëm, por aspak të qëndrueshëm, gjithnjë në kërkim të një vajze me prikë. Ajo shpërfill krejtësisht paralajmërimet e së motrës, Elinorës që, me natyrën e vet tejet të përmbajtur, përpiqet të fshehë zhgënjimet e veta romantike edhe nga njerëzit e saj më të afërt.
Përmes përvojave të tyre paralele të dashurisë, vajzat piqen dhe mësojnë të pajtojnë arsyen dhe ndjenjën, në përpjekje për të gjetur lumturinë në një shoqëri ku statusi dhe paratë qeverisin edhe dashurinë.
Kjo vepër satirike, e shkruar me ndjenjë e humor të hollë, konsiderohet sot
e kësaj dite një gur themeli i letërsisë botërore, prandaj dhe është ekranizuar shumë herë për kinemanë dhe televizionin.
Fragmente nga libri
1) – Ju nuk keni ambicie, jam e vetëdijshme për këtë. Dëshirat tuaja
janë tepër modeste.
– Po aq modeste sa ç’janë dhe ato të shumë njerëzve të tjerë, besoj. Si
çdokush tjetër, edhe unë do të doja të isha plotësisht i lumtur, por ashtu si të tjerët, dua të jem i lumtur sipas mënyrës sime. Nuk pres të më bëjë të lumtur madhështia.
2) Paraja mund të të falë lumturi, vetëm atëherë kur nuk ta fal tjetër gjë.
Për mendimin tim, ajo thjesht të ndihmon të jetosh, derisa kthehet në
qëllim në vetvete.
3) Për sa kohë që të tjerët vënë në punë fantazinë për të krijuar një gjykim të gabuar për sjelljen tonë dhe vendosin për ne vetëm mbi bazën e një njohjeje sipërfaqësore, lumturia jonë, në njëfarë mënyre, do të varet gjithmonë nga rastësia.
4) Duhet të mësoni t’i vlerësoni gjërat e mira që ju rrethojnë. Nuk ju mungon asgjë përveç durimit... apo, nëse do të përdornim një term edhe më të bukur, po e quajmë shpresë.
5) Kur idetë romantike të një të riu detyrohen të veniten, shpeshherë ato ua lënë vendin parimeve të zakonshme, gjë që konsiderohet e rrezikshme në botën ku jetojmë.
6) Sa më shumë e njoh këtë botë, aq më shumë bindem që nuk do të arrij kurrë të gjej një burrë me të cilin të dashurohem. Unë jam shumë kërkuese!
7) Nuk është as koha dhe as mundësia ajo që e përcakton intimitetin,
por vetë karakteri i një marrëdhënieje.
8) Marianë Deshud kishte lindur me një fat të pazakontë. Ajo kishte lindur për të zbuluar rrejshmërinë e mendimeve të veta dhe për të kundërshtuar, me qëndrimin e saj, parimet e veta të preferuara.
9) ...ndonëse mund të mjaftonin ca orë, mes dy krijesash racionale, për të biseduar gjerë e gjatë për shumë tema me interes të përbashkët, për të dashuruarit ishte krejt ndryshe. Mes tyre, asnjë temë nuk mund të shteronte, asnjë bisedë nuk mund të konsiderohej e mbyllur pa u bërë të paktën njëzet herë.
Titulli: Arsye dhe ndjenjë
Autore: Jane Austen
Përkthyes: Erdi Ibro
Zhanri: Roman
Data e botimit: shtator, 2023
Numri i faqeve: 478
Çmimi: 1200 lekë
Mosha e sugjeruar: 15 vjeç e lart