Mirlind Daku shkroi emrin e tij me gërma të arta duke shënuar golin e dytë kundër Polonisë sapo hyri në fushë, me prekjen e parë të topit. 

"Për çdo gjë, njeriun e drejtë, zoti e ndihmon. Lotët që unë derdha ishin nga shpirti, se debutova me Kombëtaren, jo se nuk e dhashë mirë pasimin. Në momentin e golit, mu duk sikur çdo e keqe që kisha brenda, doli jashtë. Isha sikur kisha 100 kg mbi supe dhe i hoqa. Që kur mora ftesën e Kombëtare, e dija që do t’i shënoja me 100% Polonisë. Nëse gënjej, Zoti më dënoftë. Goli shkon për dëshmorët që kanë dhënë jetën në Kosovë për ne."- tha ai pas ndeshjes. 

Daku ka të përjetësuar në trupin e tij fjalën ‘Katana 138’, nofka e komandantit legjendar të UÇK-së Agim Ramadani si dhe piramidën e rrëzuar të kufirit shqiptaro-shqiptar.  Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria LIVE”, Daku ka folur për këtë tatuazh, duke treguar se është një simbol i bashkimit kombëtar, ndërsa shtoi se nuk i intereson edhe nëse dënohet.

Kujtojmë se disa media në Serbi kanë kërkuar dënimin e Dakut për tatuazhin, pasi sipas tyre është simbol nacionalist dhe provokues.

“Në momentin kur e kam hequr bluzën, e harrova, pastaj në një moment kur po vishja bluzën u kujtova dhe e tregova me gisht. Ishte një mesazh që doja ta përçoja. E dija që do flitej. Njerëzit që kanë dhënë jetën për liri nuk duhet të harrohen. E dija që do flitej shumë, kam parë dhe reagimet.

Zgjodha atë moment sepse gjithmonë, jam rritur me frymë patriotike në shtëpi, me dashurinë për Ramadanin si komandant, na ka lidhur dhe me art. Çdo ushtar si Agim Ramadani dhe çdo kush tjetër që ka kountribuar për luftën në Kosovë, ka luftuar për bashkimin e trojeve shqiptare, dhe ky imazh tregon thyerjen e kufirit, është gjest bashkimi me gurin e kufirit. Edhe betimi i ushtarëve të UÇK është ‘Do jap jetën për bashkimin kombëtar’. Ne s’kemi patur kurrë barriera mes nesh. Ndarjet shtetërore, kufijtë janë vetëm politike për mua. Kur i sheh shumë shqiptarë që kanë vdekur për luftën në Kosovë, tregon se nuk kemi kufij. ‘Katana’ do të thotë ‘i pathyeshëm’ për këtë arsye i vendosën këtë pseudonim Agim Ramadanit.

Edhe nëse më dënojnë, nuk më intereson, vetëm shpresoj që kombëtarja mos të dënohet. Në Rusi, nuk ka asnjë reagim për tatuazhin tim. Kam bashkëlojtarë nga Serbia, por nuk më thonë gjë ndoshta kanë frikë. Më kanë pyetur për tatuazhin, ua kam treguar. Ata nuk e dinë fare se çfarë është si ngjarje.

Ne si shqiptarë kudo jemi diskriminuar për gjëra politike etj. Normalisht kur vjen prej një shteti që është i vogël dhe që nuk ka shumë fuqi për të bërë gjëra të mëdha, duhet të jesh 3 herë më i mirë se të tjerët.

Po lutem që ta mposhtin dhe Çekinë dhe ta sigurojmë Europianin. Pa fat nuk mund të bësh asgjë, sidomos në futboll. Por falë Zotit, ma shpërbleu, kam pasur një periudhë shumë të keqe pas rastit të humbur në ndeshjen me Çekinë, ka pasur shumë polemika, kritika. Megjithatë, goli me Poloninë më ndihmoi. Falenderoj të gjithë shqiptarët për mbështetjen që më kanë dhënë, shpresoj të vazhdojmë kështu. Shpresoj që goli i rradhës të jetë kundër Çekisë.”- tha Daku.