Dy edukatoret dhe kuzhinierja e kopshtit në Fushë-Kosovë janë shoqëruar në Polici, pasi akuzohen për dhunën ndaj 3-vjeçarit. Drejtori i Arsimit në Fushë-Kosovë, Fatlum Berisha tha se për rastin do të veprojnë konform ligjeve. 

Policia e Kosovë ka bërë ftesën më drejtim të edukatorëve të cilat pretendohet se janë të përfshira në rastin dhe këto momente veçse janë në stacionin e Policisë, duke u intervistuar të gjithë akteret se pretendohet se janë në rast dhe Policia ishte këtu prezent. Ne i ndihmuam në çdo moment, kanë sekuestruar edhe pajisjet e kamerave, kështu për hapat në vazhdim do të jemi në kordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin e Ministrisë së Arsimit…Ligji është i barabartë për të gjithë, pavarësisht se kush është i përfshirë, në momentin që ne kemi vendim final dhe cilësohet si fajtor, masat do të jenë konform ligjit”, shtoi Berisha.

Ngjarja ndodhi në ambientet e një kopshti publik me emrin 'Gëzimi Ynë' në Fushë-Kosovë.  Ka qenë një familjari i të miturit i cili ka denoncuar rastin përmes një videoje, teksa shihet dhuna e ushtruar ndaj vogëlushit. Nga pamjet e rënda, 3-vjeçari duket se has në rezistencë me dy edukatoret të cilat e tërheqin zvarrë dhe më pas e dhunojnë. I mituri më pas futet në një dhomë nga kuzhinierja dhe dy edukatoret ku vijojnë me dhunën ndaj tij.

Familjari i të miturit shprehet se ai ka pësuar trauma të rënda psikike si pasojë e dhunës çnjerëzore të edukatoreve.  Ndërsa nëna e fëmijës pretendon se i mituri i ka treguar se gjatë qëndrimit në kopsht nuk ka ngrënë e as nuk ka pirë për 8 orë rresht. Mësohet se fëmija ka frekuentuar këtë kopsht që nga 1 shtatori.