Ata janë padyshim dy nga emrat më të dashur të muzikës. Por prej vitesh i mungojnë publikut pas shpërnguljes në Zelandën e Re.

Lajmi i mirë është se pritja do marrë fund së shpejti. Sikurse zbuluan pak kohë më parë, pas 6 vitesh Vesa Luma dhe Big Basta kanë vendosur të kthehen në atdheun e tyre dhe sigurisht në muzikë.

E ftuar te “Rudina” në Tv Klan artistja tha se arsyeja kryesore ishte djali i saj Lian, i cili sipas Vesës duhet të rritet pranë gjyshërve dhe të flasë shqip.

“Geri ka 4 vjet që nuk ka ardhur, por në përgjithësi kemi qëndruar 6 vite. Unë kam ardhur e kam ikur, kohë pas kohe dhe asnjëherë nuk jam adaptuar 100%, por kur është fëmija në pyetje normalisht bëhen disa sakrifica. Kështu që edhe unë edhe Geri, nuk është se gjithmonë jemi njerëz që duam atë stabilitetin që këtu do rrimë, këtu do përfundojmë. Sa herë kthehemi në Shqipëri e Kosovë na ngroh vendi, familja dhe përveç asaj unë them që sa herë dikush merr rrugën për diku tjetër, gjithmonë do jetë në mes. As në tokë e as në qiell, as andej as këtej, sepse sheh diçka ndryshe, pastaj kthehesh, por kur e vëmë në peshore, them ok, duhet ta lejojmë dhe djalin që të rritet me gjyshërit. Të përjetojë kënaqësinë e të qenurit fëmijë me gjyshërit, shoqërinë, kushërinjtë, me fjalë shqip dhe ja ku jemi!”

E pyetur se si ka reaguar Liani për këtë ndryshim, Vesa zbuloi:

“Liani, shumë më mirë se ne. Se ne kemi pasur atë frikën se nuk do mund të adaptohet, por fëmijët adaptohen në çdo ambient. E rëndësishme është të ketë afër njerëzit që i don, që ne na kanë munguar shumë. Na ka pasur ose mua ose Gerin dhe disi është rritur para kohe, kështu që ai tani po e shijon më së miri dhe është përshtatur. Nganjëherë e bezdisim dhe ne i themi “do kthehemi”, “të lutem jo se dua të rri.” Ai është shumë shumë i lumtur, vërehet lumturia.”