Ekziston një urim tradicional hebre për ditëlindje që thotë: "U bëfsh 120 vjeç!" Dhe deri më tani, vetëm një person në të gjithë historinë është regjistruar zyrtarisht se ka jetuar 120 vite. Por një mjek i thotë ‘The Post’ se të jetosh deri në 120 vjeç do të jetë e arritshme – duke filluar nga kjo dekadë.
Dr. Ernst von Schwarz beson se përparimet e shpejta në qelizat staminale do e bëjnë moshën 150 vjeçare të jetë normale deri në fund të shekullit.
E vetmja gjë negative: qelizat staminale nuk do të funksionojnë vetë. Nëse doni të përfitoni, tani është koha që të filloni të hani shëndetshëm dhe të ushtroheni rregullisht. Dhe, ai paralajmëron, se mund të jetë tepër vonë për disa: Të 30-at janë momenti kur duhet të ndryshoni jetën tuaj.
"Unë besoj se ne mund të krijojmë zgjatje të jetës," thotë von Schwarz për ‘The Post’. “Ndoshta brenda disa viteve njerëzit mund të jetojnë deri në 120, 150 vjet, ndoshta edhe më shumë se kaq. Dhe jo thjesht si individë të shtrirë në shtrat që nuk komunikojnë, por realisht si individë aktivë që mund të marrin pjesë në jetën shoqërore, në jetën profesionale dhe të kenë një jetë të mirë."
I vetmi person që ka kaluar zyrtarisht 120-vjet ishte francezja Jeanne Calment, e cila vdiq në vitin 1997 në moshën 122 vjeç e 164 ditë.
"Në vitet e fundit, ne kemi kaluar nga ajo që ne e quajmë mjekësi reaktive në atë që ne tani e quajmë mjekësi rigjeneruese duke përdorur kryesisht terapi me qeliza burimore," shpjegon von Schwarz. “Edhe pse qelizat staminale nuk janë të miratuara nga FDA, kjo është e ardhmja e mjekësisë ku ne jemi në gjendje të riparojmë dëmtimet. Dhe duke riparuar dëmtimet ne mund të zgjasim jetën, apo edhe të zvogëlojmë proceset e plakjes.” Von Schwarz e bën këtë pretendim në një libër të ri, "Sekretet e pavdekësisë".
“Procesi riparon dëmtimet sipërfaqësore të lëkurës dhe rigjeneron kolagjenin në fytyrë. Pas disa ditësh, ata duken 5 deri në 10 vjet më të rinj. Qelizat staminale mund të riparojnë gjurin me artrit, mund të krijojnë rritje të qimeve dhe mund të riparojnë disa dëmtime në tru. Ky do të jetë vetëm fillimi. Një injeksion zgjat më pak se gjysmë ore pa kohë rikuperimi, kundrejt operacionit."
Von Schwarz është i bindur se qelizat staminale nuk janë mrekullibërëse: pacientët që duan të përfitojnë duhet ta bëjnë të tyren gjithashtu, me një dietë mesdhetare, duke u dhënë fund zakoneve toksike si pirja e duhanit dhe të stërviten shumë.
“Rekomandohet që të ushtroheni pesë ditë në javë me një minimum prej 150 deri në 300 minuta në javë, që është 30 deri në 60 minuta në ditë nga ajo që ne do të quanim ushtrime me intensitet të moderuar. Një studim më i fundit tregoi se nëse dyfishoni sasinë e rekomanduar, mund ta zgjasni më tej jetën tuaj për shtatë vjet të tjera.”
Megjithatë, pyetja tjetër është, edhe nëse e gjithë kjo është e mundur, a do të dëshironit të jetonit deri në 120 vjeç?