Sot bëhet përurimi i bustit të bilbilit të këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha në fshatin e saj të lindjes, Pagarushë të Komunës së Malishevës.
Sipas njoftimit të komunës, ky aktivitet organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, në bashkëpunim me komunitetin e fshatit Pagarushë (vendlindja e Nexhmije Pagarushës).
Aktivitet do të mbahen sipas kësaj agjende:
Ora 10:00-Nderime te varri i Nexhmije Pagarushës, në Pagarushë.
Ora 10:30-Përurimi i Bustit të Nexhmije Pagarushës, në Pagarushë.
Ora 11:30-Program artistik në Shtëpinë e Kulturës “Tahir Sinani”, në Malishevë.
Mbretëresha e këngës shqipe Nexhmije Pagarusha lindi më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës dhe u nda nga jeta më 7 shkurt të vitit 2020, në moshën 86-vjeçare.
Kur flitet për të, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e këngës shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitet të tjera.