Filippo Turetta është gjetur dhe është gjallë . 22-vjeçari nga Veneto është arrestuar në Gjermani. I riu akuzohet për vrasjen e Giulia Cecchettin, ish-të dashurës së tij e cila u gjet e pajetë dje pranë liqenit Barcis, në provincën e Pordenones. I riu u zhduk me të një javë më parë dhe aktualisht është nën hetim për vrasje dhe për këtë arsye marrës i një urdhër-arresti europian. Arratisja e tij përfundoi pas një jave, kur u ndalua nga autoritetet gjermane.

Prej ditësh hetuesit kishin kërkuar Fiat Punto-n e zezë me të cilën kishte ikur i riu. Makina ishte identifikuar disa herë nga kamerat mes Veneto dhe Friuli por edhe në Austri, duke konfirmuar se Filippo Turetta ishte ende në lëvizje. Makina e të riut është parë për herë të fundit në Austri pak ditë më parë, në Lienz dhe Carinthia ku sistemi i targave ka fotografuar kalimin e makinës së tij. Edhe pas hedhjes së trupit të Giulia-s, ai vazhdoi arratisjen e tij, duke kaluar kufirin në Tarvisio dhe më pas do të kishte vazhduar për në Lienz. Pas tre ditësh, targa e makinës së Turettës u rishfaq në Lienz të Austrisë në anën e Tirolit Lindor.


Dyshimi është se ai e kishte planifikuar më parë arratisjen, duke vendosur itinerare dytësore për t'u larguar nga Italia. Në fakt, në kompjuterin e tij, hetuesit gjetën kërkime mbi hartat për tu arratisur dhe të mbijetuar.

Sipas prokurorisë, Filippo Turetta vrau Giulia Cecchettin me thikë duke e goditur disa herë në kokë dhe qafë. E reja u godit nga pas dhe u dërgua me forcë në makinë nga ish-i dashuri i saj bazuar në një video nga një kamera vëzhgimi e një kompanie në Fossò, e cila do të kishte përjetësuar sulmin.