Inxhinierja shqiptare Mira Murati që mban pozitën Shefes së Teknologjisë në kompaninë e OpenAI ka reaguar lidhur me rikthimin e Sam Altman në pozitën e tij të mëparshme si CEO.

Murati, e cila udhëhoqi projektet sikurse ChatGPT dhe DALL-E, ka shpërndarë në platfromën "X", një postim të OpenAI ku njoftohet kthimi i Altman dhe bashkangjitur postimit ka vendosur një emoji të zemrës, duke mirëpritur vendimin.

Inxhinierja shqiptare ishte kundër shkarkimit të Altman nga pozita e CEO-s, dhe menjëherë reagoi përmes një postimi në rrjetin social "X" duke thënë se kompania nuk është asgjë pa njerëzit e saj. Qindra punëtorë të OpenAI gjithashtu kërcënuan me largimin nga kompania në qoftë se nuk do të rikthehej Altman.

Në OpenAI do të kthehet edhe ish-presidenti i kompanisë Greg Brockman, i cili dha dorëheqje pas kaosit që filloi të premten. Ndërkohë një video që u shpërnda në rrjetin social X në formë të një meme shpërfaq rikthimin e treshes së njohur në kompani, atë të Sam Altman, Mira Muratit dhe Greg Brockman. Në video u montuan fytyrat e tre udhëheqësve të kompanisë, shkëputur nga një moment i këngëtarëve të grupit të dikurshëm të famshëm Destiny’s Child.