Acari siberian që ka mbërthyer prej 2 ditësh vendin tonë, duket se po largohet. Sinoptikanët thonë se mbrëmja e së hënës do të ketë një ndryshim drastik. Lajda Porja tha për 'Klan News':
"Do të kemi ndryshim të situatës shumë shpejt, duke filluar që sot pasdite do të kemi shtim të vranësirave dhe kjo masë e ftohtë gradualisht po largohet për t’u zhvendosur më në lindje të kontinentit duke ja lënë vendin një mase ajrore disi më të ngrohtë."
Prej mëngjesit të së martës, temperaturat pësojnë rritje ndërkohë që i gjithë territori i vendit do të përfshihet nga reshjet e shiut.
"Do të rikthehen rrebeshet e shiut në pjesën më të madhe të ultësirës perëndimore. Do të ketë reshje dëbore vetëm në zonat e thella."
Sinoptikanët thonë se ditët e fundit të Nëntorit pritet të jenë të paqëndrueshme, ndërsa në zonat e thella nuk do të mungojnë reshjet e dëborës.
"Në zonat veri-lindore do të ketë sërish reshje dëbore sepse temperaturat aty janë shumë të ulëta dhe me gjithë rritjen, sërish mbeten në minus 2 gradës Celsius. Pra, juglindja, qarku i Korçës do të marrë një sasi të konsiderueshme të dëborës."
Edhe dhjetori pritet të nisë me një mot të paqëndrueshëm dhe me reshje.