Gati më shumë se gjysma e popullsisë së Shqipërisë ka vuajtur nga një lloj simptome e shëndetit mendor gjatë këtij vit. Sipas Raportit të Tranzicionit të publikuar nga BERZH për vitin 2023, 40% e meshkujve kanë shfaqur një nga problematikat e shëndetiti mendor ndërsa tek femrat niveli është më i lartë, pasi arrin në 58%.
“Ka ardhur momenti i një depistimi në masë të popullatës për të kuptuar se në çfarë mase jemi aktualisht me problemet e shëndetit mendor. Nga konsultat dhe informacionet që mbledhim në Urdhrin e Psikologut konstatojmë se shifrat mund të jenë edhe më të larta.”
Shifrat tregojnë se femrat vuajnë më shumë se meshkujt nga shëndeti mendor në të gjitha vendet, përfshirë edhe Shqipërinë. Por sipas Psikologes Valbona Treska njëherazi dhe kryetare e Urdhrit të Psikologut, kjo vjen për faktin se burrat janë më të tërhequr dhe nuk e shfaqin.
“Gratë janë shumë më të mbyllura brenda familjes dhe mundësia e tyre për të vetëmenaxhuar stresin, depresionin, ankthin apo ngarkesa emocionale ëqshtë shumë e kufizuar sesa e një burri që është shumë më i lirë në shoqëri dhe mund të gjejë forma për të shkarkuar gjendjen emocionale dhe për të menaxhuar emocionet negative.”
Psikologia u bën apel qytetarëve që nëse kanë problematika që zgjasin për disa javë duhet patjetër që të kërkojnë ndihmë tek ekspertët.
“Një individ që ka probleme të shëndetit mendor duhet të kuptojmë që nuk është i aftë të mirëfunksionoj në përditshmërinë e tij. Nuk jep rendiment të lartë gjatë punës, nuk ka rendiment në familje, nuk ka rendiment individual dhe të gjitha këto përkthen në kosto sociale edhe financiare.
Veç pandemisë ndikues në rritjen e problemeve mendore është edhe ekonomia.
Vështirësitë ekonomike, vështirësitë e punësimit, pasigurinë, njerëzit duhet të marrin kënaqësinë e duhur nga e gjithë mënyra e jetesës dhe ndihen të pasigurt dhe kjo na bën që të kemi këto rezultate.”
Sipas anketës së BERZH, Gjermania dhe Solloveni janë vendet që kanë nivelin më të ulët të shqetësimeve mendor pothuajse më pak se 10% e popullsisë, në Algjeri, Jordani dhe Tunizi rreth 90 % e të anketuarve raportojnë se kanë ndjerë ndonjë formë shqetësimi mendor të paktën një herë në javë.
Shqipëria renditet në mesin e vendeve me nivele më të larta të problemeve me shëndetin mendor, ndërsa kryeson në krahasim me vendet e rajonit, të cilat kanë një mesatare rreth 30% të popullsisë.