Naim Murseli, bashkëshorti i Liridonës, e cila u vra mbrëmjen e së mërkurës, e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur ai vrasjen e gruas. Lajmi raportohet nga mediat në Kosovë.
U deshën rreth 48 orë për të zbuluar se cila ishte e vërteta e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Burime për mediat në Kosovë bëjnë të ditur se Murseli i ka dhënë 15 mijë Euro Granit Plavës për të kryer vrasjen. 15 mijë të tjera ai do t’ia jepte pas kryerjes së krimit.
E kështu ndodhi. Atë mbrëmje, Plava i maskuar si “grabitës” i doli përpara familjes Murseli. Në makinë ishin Naimi, Liridona dhe 2 fëmijët. Plumbat mbi 30-vjeçaren ia morën jetën.
Bashkëshorti tha për hetuesit se gjithçka ndodhi pas një grabitje dhe për këtë arsye fillimisht autoritetet e cilësuan rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.
Po pas hetimeve ka qenë Granit Plava që fillimisht ka pranuar para prokurorisë se ka qenë Murseli ai që e ka paguar ta kryejë vrasjen.
Ndërkohë, Murseli ka qenë i pranishëm gjatë ceremonisë mortore të gruas së tij. Ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje kaq të rëndë.
Së fundmi u bë me dije se është prangosur edhe një person i tretë i lidhur me këtë ngjarje. Ai është Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës e njëkohësisht nip i Naim Murselit.
Momentalisht nuk është e qartë cili është roli i tij në këtë ngjarje të rëndë, megjithatë ai dyshohet si bashkëpunëtor në krim.