Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës lidhur me dyshimet për vrasjen e Liridona Ademaj. Seanca lidhur me shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë për paraburgim u mbajt dje ku u deklarua edhe i dyshuari Murseli dhe avokati i tij Ahmet Ahmeti. Murseli tha se ai nuk kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe kishte qenë vetë i rrezikuar.
“Unë nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, madje kam qenë vetë i rrezikuar dhe kam kërkuar ndihmë në të njëjtën kohë deri në ardhjen e policisë”, tha ai.
Avokati Ahmet Ahmeti kishte thënë se Naim Murseli nuk e ka kryer veprën penale në vend, kohë dhe mënyrë siç përshkruhet në dosjen e prokurorisë dhe nuk është i përfshirë në vrasje.
“I mbrojturi im nuk është fare i përfshirë në kryerjen e këtyre veprave penale dhe nuk ka arsyje të përsëris veprën penale se nuk e ka bë”, ka thënë avokati Ahmeti.
Gjatë seancës, Gjykata Themelore e Prishtinës ka dhënë edhe detaje për vrasjen e Liridonës. Sipas Gjykatës, Naimi organizoi githçka për të eliminuar bashkëshorten e tij, ngjarje e cila ndodhi në prani të dy fëmijëve të tyre. Në marrëveshje me Murselin, Gjykata thotë se Granit Plava me maskë në kokë dhe revole në dorë e qëlloi me plumb në qafë Liridona Ademajn, pasi bashkëshorti i saj dhe fëmijët u larguan.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
30 vjeçarja u vra mbrëmjen e së mërkurës teksa ishte në makinë me bashkëshortin e saj, Naim Murseli dhe dy fëmijët e mitur. Nëna e dy fëmijëve u ekzekutua me porosi të bashkëshortit të saj, i cili tashmë është arrestuar bashkë me dy bashkëpunëtorët e tij.