Inskenim i pastër kriminal është dhe rasti i vrasjes së 14 vjeçares Vanja Gjorçevska në Maqedoninë  e Veriut. Gazetari Sefer Selimi ka dhënë më shumë detaje sot mbi ngjarjen përmes një interviste për gazetarin Besard Jacaj në Klan News.

Ai thotë se vrasja e së miturës dhe e të moshuarit ka marrë një bujë të jashtëzakonshme dhe se motivi i ngjarjes ka të bëjë me interesa financiare.

“Është një ngjarje tragjike me dy vdekje të pafajshme, njëra nga viktimat është një vajzë 14 vjeçare ndërsa tjetri është një berber i moshuar.  Një motiv që ka të bëjë me interesin financiar. Nga hetimet paraprake që sot i shpalli Prokuroria dhe Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka qenë një organizim mes bandës dhe babait të viktimës, është krijuar skema për t’i zhvatur para vajzës.”

5 persona janë deri më tani të akuzuar për këtë rast. 4 janë në paraburgim, ndërsa ekzekutori është arratisur. Akoma më shokues është fakti se babai i Vanjës dyshohet të jetë personi që ka planifikuar këtë rrëmbim që përfundoi në mënyrë tragjike. Ai aktualisht, sipas gazetarit, po mbahet nën vëzhgim ndërsa pritet që t’i caktohet një masë sigurie. Përpos kësaj, Selimi thotë se prindërit e vajzës jetonin bashkë në një shtëpi.

“Çifti ishin bashkë në një shtëpi, jo të ndarë. Organizatori kryesor ka vendosur që të vrasë vajzën dhe pastaj të merret me pjesën tjetër të skenarit. Për lëvizjen e vajzës ka informuar babai i saj, është rrëmbyer në orën 8 e gjysmë duke dalë nga shtëpia dhe është ekzekutuar nga ora 10:00 Nga një rast kriminal në sfidë të sigurisë për Maqedoninë e Veriut.”

Nga ajo që dihet, ditën e rrëmbimit diku nga ora 11:00 ka qenë ai që ka bërë denoncimin e dytë për zhdukjen e vajzës. Fillimisht e ëma e ka raportuar të zhdukur”, theksoi ai.