Mirush Kabashi është përcjellë ditën e djeshme për në banesën e fundit, pasi u mbajtën homazhet në Muzeun Kombëtar në Tiranë.

Vajza e artistit Mendi Kabashi, ka rrëfyer se kjo ishte beteja e parë që ai humbiste në jetë dhe se praninë e tij do e ndjejë gjithmonë.

“Është akoma e pabesueshme për ne. Ai ishte mësuar t’i fitonte të gjithë betejat e tij, por nuk ia doli me këtë të fundit. E ndjej kudo akoma, e kam të vështirë ta pranoj ikjen e tij, e di që nuk do iki sepse ka lënë një vepër të madhe. I jemi shumë mirënjohës të gjithëve, sidomos publikut të thjeshtë që ai e donte shumë edhe i vlerësonte njerëzit. Na u desh ta ndanim midis publikut të thjeshtë, skenës, artit të tij që nuk ishte më profesion, por jeta e tij. Edhe në shtëpi përsëriste gjithë kohës duke përsëritur tekstet e tij.
Shkëputej, ishte aty me ne, na dedikonte kohë patjetër, me mamin ka qenë gjithmonë shumë afër, nuk ishte njeriu i kafeneve e lokaleve, ishte njeriu i fjalëve të pakta, përzgjidhte ku shkonte dhe dilte. Nuk ngjitej në çdo skenë, përveçse atyre që i përkonin vlerave dhe parimeve të tij. Kishte parime të forta, idealist, më i fortë se ideali vetë.
Edhe për mua, për shumë kohë, ishte e vështirë të kuptoja se si është e mundur që njeriu arrin të bëjë një kompromis diku, dikur në një situatë, por ai jo. I vetmi kompromis që ka bërë në jetë, karakterin e hekurt që kishte, thyhej përpara time bije si gjysh Mirushi ishte tjetër gjë, me ne e mbajti karakterin e hekurt, megjithëse kishim biseda e ishte sportist, flisnim si shokë, na bisedonte dhe shkëmbenim mendime. Unë jetoj larg dhe bisedat telefonike i kemi konsumuar”, tha vajza e Mirush Kabashit.

Vajza e aktorit ka rrëfyer që së fundmi ai kishte bërë një kurë, po ka pasur komplikime dhe për shkak të kësaj ai humbi jetën. Mendi Kabashi tregoi që i ati kishte dy javë i shtruar në spital por përtej kësaj nuk e priste vdekjen edhe pse kishte pesë vite që luftonte me sëmundjen.

“E vërteta është që ai nuk e mendonte se do vinte kaq shpejt kjo ditë, për ne ishte e papritur edhe pse ai vuante nga një sëmundje e rëndë për 5 vite.
Luftoi, por kjo me vdekjen erdhi papritur, edhe pse ne e dinim që do të vinte, nuk je asnjëherë i përgatitur për këtë ditë.
Pati projekte të lënë në mes, erdhi nga një kurë që bëri tani së fundmi dhe për fat të keq një komplikim ndodhi dhe vdiq në spital.
Kam pasur shumë biseda me të, dy javët e fundit i kam kaluar me të, për fat të keq jo ashtu siç deshëm ne ta shihnim, ishim në spital. Ai me të vërtetë e vlerësonte privatësinë e tij dhe e kishte të shenjtë.
Mësimi më i madh që na ka dhënë është të luftosh fort, të jesh i drejtë dhe të mos bësh kompromise në jetë, ai ishte i madh dhe përkushtohej në gjërat më të vogla me pasionin më të madh. Ishte njeri i madh”, tregoi ajo mes lotësh.