Nga Sonila Meço
Të dielën e dua për vete. Sidomos në dimër, brenda aromës së shtëpisë sime. Shuaj ekranet e çdo lajmi dhe bëj çfarë më duhet, gatuaj me nge, s’le erzë pa përdorur, gjej recetë të paprovuar ëmbëlsire, bëj një maskë fytyre me kombinime bio me ç’mbetet nga lëkurat e frutave a perimeve të freskëta, lexoj a shoh një komedi, shqiptare, por edhe 10 seri rresht të “Office” a “Friends” duke mbushur tasat me çaj trëndafili të egër…derisa nis ajo ora e ankthit, që paralajmëron të hënën në prag. Sikur të kenë ndodhur jo para 5 minutash, por para një viti ato rituale shkrydhëse i rikthehem me ngut lajmeve, ngjarjeve, stresit të çdo problemi të mundshëm dhe numëroj me gishta deri të dielën tjetër.
Sot, pasi rihyra në kaos pas qetësisë, mu shfaqën pa sosje dhe të pashmangshme lajmet mbi BBVIP, komentet pozitive mbi prezantimin, spektaklin, mirëpo më bëri përshtypje një batutë e Roza Latit, se kish hyrë për shkak se nuk i pëlqente më bota jashtë këtë periudhë. Dhe patjetër mu duk arsye e mirë, duke e gjykuar nga kuti im. Madje aty për aty mu kujtua sesi të premten, kur lexova dy lajme tronditëse, që na prekin TË GJITHËVE njëlloj, po kërkoja në çoroditje e sipër pa arsyetuar një vend ku të fusja familjen e kokën time. Sepse po jetojmë vdekjen e ngadaltë.
Lexoni këto dy lajme, të ardhura të faktuara, konfirmuara e çertifikuara nga institucionet e agjensitë e specializuara europiane:
-Lajmi 1 me autore Blerina Gjoka e Klodiana Lala:
“Agjencia Europiane e Mjedisit vlerëson se ndotja e ajrit shkaktoi vdekjen e parakohshme të mbi 5 mijë qytetarëve shqiptarë në një analizë për vitet 2017-2021. Ajri i ndotur akuzohet si shkaktar i mijëra vdekjeve të parakohshme dhe shumë sëmundjeve në Shqipëri, por institucionet përgjegjëse dështojnë prej vitesh që të kryejnë monitorime të sakta dhe të besueshme si dhe të informojnë publikun për ndikimin në shëndetin publik.
EUD ka shprehur shqetësimet e saj për statusin e stacioneve të cilësisë së ajrit në vitin 2022 në takimet dypalëve me institucionet përkatëse të qeverisë së Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit kishte qenë e paaftë të kryente monitorime të plota dhe të besueshme të paktën që nga viti 2019.
Prej një dekade, nuk ka gjithashtu asnjë studim të publikuar për pasojat e ndotjes së ajrit në shëndetin qytetarëve shqiptarë– një detyrë e Institutit të Shëndetit Publik.”
-Lajmi 2 me autore Blerina Gjokën:
Raporti për cilësinë e jetës në qytetet europiane publikuar nga Komisioni Europian e rendit kryeqytetin e Shqipërisë në fund të listës për cilësinë e jetës, bazuar në një survejim në perceptimin e banorëve.
Njerëzit u pyetën për kënaqësinë e të jetuarit me një sërë karakteristikash të jetës në qytet, të tilla si gjithëpërfshirja, vetmia, punësimi, siguria, strehimi, mjedisi, transporti, kultura, shërbimet e qytetit dhe korrupsioni.
Dmth shqiptarëve po u thuhet se jeni duke jetuar tmerrin, se tmerri buron prej këtyre arsyeve, shkaktohet nga këta faktorë, mbajnë përgjegjësi këta njerëz dhe se askush, ASKUSH nuk është i shpëtuar sa kohë thithim të njëjtin ajër, pijmë të njëjtin ujë, na rrethon i njëjti mjedis, na kërcënon e njëjta mungesë sigurie, na çart i njëjti trafik, na varfëron shpirtërisht e njëjta mungesë kulture, na varfëron materialisht korrupsioni, shërbehemi nga i njëjti qytet ku diellin 300 ditësh e kanë zaptuar rrokaqiej të shëmtuar betoni të përjetshëm…pra u thuhet, u konfirmohet, u plaset fytyre e vërteta mbi vdekjet e shtuara, sëmundjet e ndërlikuara, rastet terminale me incidencë gripale dhe….prita atë ditë dhe tjetrën, mos bëheshim 4, 444, 444.444 të reagonim për jetën, se s’di ç’ka më të rëndësishme, por jo…
Lajmet e pashmangshme ishin të tjera dhe Roza bëri mirë që iu shmang qytetit, lajmeve, të vërtetave për disa muaj. Po ne? Ne more ne, fëmija im, yti, partneri, bashkëshortja, prindi, vëllai, motra, ore ne që kemi hyrë pa rezistencë në tmerrin e shmangshëm kush na ka bindur se na zuri kjo e keqe e nuk zhbëhet…?!
Jo or jo, tërmetit, uraganit, fatkeqësisë natyrore s’ke ç’i bën, por të notosh mbi natyrë të mrekullueshme e të lejosh të të marrin jetën përditë e nga pak, këtë s’ka libër historiko-antropologjiko-psikoanalitik ta shpjegojë…s’ka!
Ja iku dhe kjo e diel, mezi pres tjetrën…me çaj trëndafili dhe batutat e Rozës hokatare.