Liljana Cingu, ikona e valles shqiptare, është ndarë nga jeta sot në mbrëmje, në moshën 74-vjeçare.
Homazhet në nder të saj do të mbahen nesër paradite, në hollin kryesor të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Cingu ka qëndruar 45 vite në skenë. Ajo ishte e njohur për kërcimet e saj me Rexhep Çelikun.
Lili Cingu u lind në Tiranë në 31 dhjetor 1950. Ashtu si dhjetra artistë të tjerë edhe tek Lili talenti ra në sy që në fëmijëri. Ajo ndërmjet sportit dhe artit zgjodhi këtë të fundit. Që në moshën 12 vjeçare përfaqëson shkollën”11 Janari” në një konkurim sportiv, ku dhe fiton një medalje duke u kualifikuar e para. Regjistrohet në grupin e valleve pranë Pallatit të pionierëve dhe më vonë 1963 ndjek një kurs vallëzimi katërvjeçar pranë AKKVP, nën drejtimin e Gëzim Kacelit. Ajo ju kushtua tërsisht valles dhe nuk mbeti e zhgënjyer.
Përfundon shkollën e mesme në Liceun artistik “Jordan Misja” në degën e koreografisë.
Në vitin 1967, pranohet si valltare profesioniste pranë AKVP, krahas valltareve të tjera. Në fillim interpreton si valltare e thjeshtë në grupin e valleve në vallet “Vallja e maleve”, “Vallja e tërkuzës”etj.
Që nga viti 1969 pas një turneu në Turqi ajo u bë një ndër solistet më të shquara të AKKVP, e cila për mëse 30 vjet rresht arriti që në repertorin e saj të interpretonte rreth 200 valle , nga më të thjeshtat e deri tek ato më të arrirat si “Vallëzimi i shqipeve”, “Festë të madhe ka sot Shqipëria” “Vjelja e gështenjave”, “Në garë”, ”Valle me motive të Labërisë”, “Vallja e Tiranës”, etj.
Një rol të rëndësishëm në jetën e gjatë artistike të Lili Cingut kanë luajtur edhe koreografët, ata që i besuan asaj perlat e koreografisë, duke filluar që nga Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli, Agron Aliaj etj.
Lili Cingu është shquar për një interpretim dinjitoz, elegancë e finesë, si dhe një kulturë të lartë muzikore, si njohese e folklorit të të gjitha trevave. Këto cilësi i dhanë asaj mundësinë që të shpreh më mirë aftësinë në interpretimin e valleve lirike, por edhe atyre epike. Me kërcim të lehtë e plotë bukuri interpretoi me shije si vallen e Jugut, Çamërisë, të Dropullit, të Korçës, të Kolonjës, të Shqipërisë së Mesme,, ashtu edhe vallet epike të Veriut (Shota dhe Azem Galica”, “Sup më sup me malet”, “Oshëtima e maleve”, etj. Dhe natyrisht në këtë interpretim dinjitoz të saj nuk mund të mos permendim partnerët e saj në AKKVP Besim Zekthi, Bashkim Braho, Rexhep Çeliku etj.