Një ekspozitë që vjen si një rrugëtim në kohë e periudha të ndryshme të jetës së artistit, në faza të ndryshme të krijimtarisë së tij, peizazhe urbane dhe rurale, autoportrete, portrete të rrethit të tij familjar, kompozime, me subjekt politik dhe spiritual.
“Krijoj sepse besoj thellësisht tek e ardhmja dhe në mënyrën time i kundërvihem me trup e shpirt filozofisë së dhunës” - shprehet artisti.
Është pikërisht kjo filozofi që përshkruan gjithë ciklin e ekspozitës, përpjekja e artistit–njeriut të hulumtojë raportin e tij me epokën, me bashkëkohësit dhe me ambjentin në të cilin gjallon.
Nëse do të flisnim për fillin e kuq që i lidh të gjitha këto, është përpjekja për një vëzhgim sa më të imët të realitetit, duke i’u referuar përvojave personale, si dhe sensi kritik në përqasjen e subjektit. Ai zgjedh të bëjë autoportete, apo portrete të njerëzve të tij të afërt, me dëshirën për një vetë-analizë dhe hapësirat hulumtuese që krijon Introspeksioni (nga latinishtja "introspectus"), në procesin e njohjes së realitetit përmes aktit te shikimit në radhë të parë brenda vetvetes. Duke punuar në mënyrë të tillë, ai gjendet diku më afër përgjigjes së pyetjeve bazike: “Nga vijmë, kush jemi dhe ku shkojmë?” "
Herë personale, shpesh filozofike dhe politike, këto qëndrime vijnë si elementë që tregojnë se krijimtaria e artistit është në fakt praktika e tij ekzistenciale, ajo çfarë i jep kuptim gjithë rrugëtimit të tij jetësor.
I ftuar nga Gat, “Introspeksion” është ekspozita e tij e parë personale në Shqipëri dhe njëkohësisht çel programacionin e Galerisë së Arteve Tiranë për këtë vit.