Më shumë se një miliard njerëz jetojnë me obezitet në mbarë botën, tregojnë vlerësimet globale të publikuara në “The Lancet”.

Sipas të dhënave të vitit 2022, kjo përfshin rreth 880 milionë të rritur dhe 159 milionë fëmijë.

Normat më të larta janë në Tonga dhe Samoa Amerikane për gratë dhe nw Samoa Amerikane dhe Nauru për burrat, me rreth 70-80% të të rriturve që jetojnë me obezitet.

Nga rreth 190 vende, Britania e Madhe renditet në vendin e 55-të më të lartë për meshkujt dhe në vendin e 87-të për femrat.

Ekipi ndërkombëtar i shkencëtarëve thotë se ka nevojë urgjente për ndryshime të mëdha në mënyrën se si trajtohet obeziteti.

Obeziteti mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të shumë gjendjeve serioze shëndetësore, duke përfshirë sëmundjet e zemrës, diabetin e tipit 2 dhe disa lloje kanceri.

Duke renditur normat globale të obezitetit studiuesit zbuluan se: SHBA renditet në vendin e 10-të për meshkujt dhe në vendin e 36-të për femrat, India renditet e 19-ta më e ulëta për femrat dhe e 21-ta më e ulëta për meshkujt dhe Kina është e 11-ta më e ulëta për femrat dhe e 52-ta për meshkujt.

Raporti, që përfshin vitet 1990 dhe 2022, zbuloi se shkalla e obezitetit u katërfishua tek fëmijët dhe adoleshentët. Ndërkohë për të rriturit, norma është më shumë se dyfishuar tek femrat dhe gati trefishuar tek meshkujt.

Në të njëjtën kohë, përqindja e të rriturve të klasifikuar si nënpeshë ka rënë me 50%, por studiuesit theksojnë se ende mbetet një problem urgjent, veçanërisht në mesin e komuniteteve më të varfra.

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus tha: "Ky studim i ri thekson rëndësinë e parandalimit dhe menaxhimit të obezitetit nga jeta e hershme deri në moshën madhore, përmes dietës, aktivitetit fizik dhe kujdesit adekuat".